Një dhuratë e pazakontë e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan për liderët e NATO-s në samitin e zhvilluar në Ankara ka tërhequr vëmendjen e mediave europiane.
Sipas raportimeve, Erdogan u dhuroi secilit prej liderëve pjesëmarrës një pistoletë me emrin e tyre të gdhendur, së bashku me një kuti me fishekë të vërtetë.
Lajmi u bë publik nga kryeministri britanik Keir Starmer, i cili foli për këtë çështje gjatë udhëtimit të kthimit pas samitit. Starmer shpjegoi se nuk mund ta merrte armën me vete në Britani, pasi importimi i saj do të ishte i paligjshëm sipas legjislacionit britanik.
Pistoleta e kryeministrit britanik pritet të mbetet në Ankara dhe të hiqet nga përdorimi. Kjo, pavarësisht se presidenti Erdogan kishte siguruar një letër personale që synonte heqjen e kufizimeve për eksportin e armës nga Turqia.
Starmer e cilësoi dhuratën si një zgjedhje të papritur nga presidenti turk, ndërsa ende nuk dihet nëse edhe liderë të tjerë të NATO-s janë përballur me të njëjtat vështirësi për transportimin e saj në vendet e tyre.
Përveç pistoletës, liderët morën edhe dhurata më tradicionale, mes tyre librin “Politika e guximit: Erdogan dhe ngritja e Turqisë”, një botim luksoz, si dhe një bllok shënimesh dhe stilolaps me emrin e secilit lider.





