Zvicra ka shkruar historinë në Kupën e Botës 2026, duke siguruar për herë të parë një vend në çerekfinale, ndërsa kapiteni Granit Xhaka nuk i ka fshehur emocionet pas triumfit dramatik ndaj Kolumbisë me penallti.
Pas kualifikimit, mesfushori shqiptar me pasaportë zvicerane foli për emocionet e një arritjeje që e cilësoi të jashtëzakonshme.
“Ishte një lehtësim i jashtëzakonshëm. Ata që më njohin e dinë se i bëj gjithmonë shumë presion vetes. Doja vetëm ta shijoja atë moment, sepse nuk e kupton menjëherë se çfarë ke arritur. Është diçka e pabesueshme dhe një krenari për ne, për familjet tona dhe për gjithë Zvicrën”, deklaroi Xhaka.
Megjithatë, kapiteni helvet theksoi se rrugëtimi i Zvicrës nuk përfundon me arritjen në çerekfinale.
“Qëllimi ynë i parë ishte të kualifikoheshim në Botëror. Më pas të kalonim fazën e grupeve dhe më pas raundin tjetër. Tani kemi arritur edhe objektivin e katërt dhe kemi bërë histori. Por tani na pret objektivi i pestë”, u shpreh ai.
Në fazën tjetër të turneut, Zvicra do të përballet me Argjentinën, kampionen në fuqi të botës, në një sfidë që për Xhakën ka një ngarkesë të veçantë.
“Është privilegj të luash në epokën e Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos. Ata janë dy nga futbollistët më të mëdhenj në histori”, tha mesfushori, duke vlerësuar dy ikonat e futbollit botëror.
Xhaka dhe Ricardo Rodríguez janë dy lojtarët e vetëm të skuadrës aktuale zvicerane që kanë qenë pjesë e ekipit edhe në përballjen ndaj Argjentinës në Botërorin 2014 në Brazil. Atëherë, Zvicra u eliminua në fazën e 1/8-ave pas një goli të Ángel Di Marías në minutën e 118-të të kohës shtesë.
“Botërori i vitit 2014 na dhemb ende. Ishim shumë pranë eliminimit të Argjentinës dhe humbëm vetëm në fund të kohës shtesë. Tani kemi një mundësi për revansh”, u shpreh Xhaka.
Momentet e emocioneve kulmuan menjëherë pas penalltisë vendimtare të Ruben Vargas, e cila i dha Zvicrës kualifikimin. Ndryshe nga shokët e skuadrës, Xhaka nuk u bashkua menjëherë me festën, por u ul në fushë dhe shpërtheu në lot, duke përjetuar një nga momentet më të veçanta të karrierës së tij.





