Svetlana Grković nuk e lëshoi për asnjë çast bashkëshortin e saj, Ljubiša Karović, në momentet më të frikshme të jetës së tyre. Teksa 61-vjeçari po tërhiqej drejt pjesës së jashtme të avionit pas një dekompresimi të menjëhershëm, ajo i kapi këmbët dhe nuk e lejoi të binte.
“Nëse do të vdesim, do të vdesim bashkë”, rrëfen se kishte menduar në ato sekonda gruaja, ndërsa përpiqej ta mbante të sigurt bashkëshortin.
Çifti po udhëtonte me një avion të kompanisë Ryanair, të operuar nga Malta Air, i cili ishte nisur të premten në mëngjes nga Selaniku i Greqisë drejt Memmingenit në Gjermani. Vetëm rreth shtatë minuta pas ngritjes në fluturim, një problem me motorin e djathtë shkaktoi një seri ngjarjesh që çuan në thyerjen e dritares pranë sediljes së Karovićit dhe në dekompresimin e menjëhershëm të kabinës.
“Gjysma e trupit të tij ishte jashtë avionit”, tregoi Grković, duke shpjeguar se bashkëshorti i saj qëndroi “jashtë deri në kraharor” për rreth dy minuta.
Me ndihmën e dy pasagjerëve të tjerë, ajo arriti ta tërhiqte sërish brenda avionit. Sipas saj, gjatë atyre momenteve të tmerrshme, Karović humbi ndjenjat tri herë.
Një faktor që ndihmoi në shpëtimin e tij ishte edhe rripi i sigurimit. 61-vjeçari e kishte vendosur atë, duke u dhënë mundësi pasagjerëve pranë tij ta mbanin më lehtë, ndërsa koka dhe shpatullat i mbeteshin të ekspozuara ndaj rrymës së fortë të ajrit jashtë avionit.
Karović vijon të jetë i shtruar në spital në Greqi dhe, sipas bashkëshortes së tij, ndodhet në gjendje të rënduar.
“Për mua ka rëndësi që ai është gjallë”, tha Grković. “Njëra dorë i është dëmtuar rëndë dhe ka edhe djegie. Nuk arrin të komunikojë dhe nuk e kujton të gjithë ngjarjen.”
Gruaja falënderoi edhe pasagjerët që i erdhën në ndihmë gjatë momentit kritik, duke përmendur veçanërisht një burrë që, sipas saj, mund të ishte shqiptar.
“Disa njerëz erdhën në ndihmën time. Më kujtohet një burrë dhe një grua. Ai burrë na ndihmoi shumë mua dhe Ljubišën. Mendoj se ishte shqiptar. Faleminderit shumë. Nuk ia mbaj mend emrin, madje nuk e di nëse ma tha ndonjëherë. Do të doja ta takoja përsëri për ta falënderuar personalisht edhe një herë”, u shpreh ajo.
Edhe pasagjerë të tjerë përshkruan momentet e panikut në kabinë. Christina, një prej udhëtarëve, tha se menjëherë u kuptua se kishte ndodhur një dekompresim.
“E kuptuam menjëherë se kishte ndodhur një dekompresim. Dëgjoheshin britma… Për një moment mendova se dikush e kishte hapur gabimisht daljen e emergjencës”, tregoi ajo.
Një tjetër pasagjere, Sofia, tha se udhëtarët menduan se avioni po rrëzohej.
“Menduam se avioni po rrëzohej. Dekompresimi ishte ekstrem. Dukej sikur nuk mund të merrnim frymë. Burri i plagosur po gjakosej dhe më pas humbi ndjenjat disa herë”, rrëfeu ajo.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale treguan brendësinë e kabinës pas incidentit, ku maskat e oksigjenit kishin rënë nga tavani. Avioni, një Boeing 737-800 rreth 18-vjeçar, ndodhej në hapësirën ajrore të Maqedonisë së Veriut në momentin e ngjarjes.
Hetimet për incidentin po zhvillohen nga Autoriteti Grek për Hetimin e Sigurisë Ajrore dhe Hekurudhore (HARSIA), në bashkëpunim me Boeing, Administratën Federale të Aviacionit të SHBA-së (FAA), Agjencinë Evropiane për Sigurinë e Aviacionit (EASA) dhe Bordin Kombëtar të Sigurisë së Transportit (NTSB).





