Kosova ka shpallur person “të padëshirueshëm” ministren serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviç, duke i ndaluar asaj përherë hyrjen apo kalimin nëpër territorin e Kosovës.
Vendimi është bërë i ditur nga ministri i Brendshëm në detyrë i Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili njoftoi se ka nënshkruar masën pas deklaratave të ministres serbe lidhur me luftën në Kosovë.
Sveçla deklaroi se Paunoviç me qëndrimet e saj ka “ritheksuar atë nga e cila Serbia nuk ka hequr dorë asnjëherë, projektin e spastrimit etnik të shqiptarëve”.
“Në epokën tonë, kjo u tentua nga ish-shefi i saj Sllobodan Millosheviç, i njohur edhe si kasapi i Ballkanit”, shkroi Sveçla në reagimin e tij.
Ai shtoi se çdo tentativë për të rikthyer ideologjitë e spastrimit etnik apo për të kërcënuar Republikën e Kosovës do të përballet me masa institucionale.
“Çdo përpjekje për të ringjallur ideologjitë e spastrimit etnik apo për të kërcënuar Republikën e Kosovës do të përballet me përgjigje të vendosur, ligjore dhe institucionale”, u shpreh Sveçla.
Vendimi erdhi pas deklaratës së Paunoviç për televizionin serb “Kurir”, ku ajo tha se nëse do të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën”.
Deklarata shkaktoi reagime të forta në Kosovë dhe jashtë saj. Paunoviç më pas tha se kjo ishte “deklarata më e ashpër” që kishte bërë në jetën e saj.
Ajo pretendoi se nuk do t’i kishte “likuiduar shqiptarët”, por se sipas saj, ata që ndiheshin më pak qytetarë të Republikës Federale të Jugosllavisë do të duhej të largoheshin në shtetin e tyre amë.
Në një tjetër reagim, Paunoviç deklaroi se nuk heq dorë nga politika e Partisë Socialiste të Serbisë, pjesë e së cilës është që prej vitit 1992.
“Ne jemi partia që e udhëhoqi Serbinë në rrethana jashtëzakonisht të vështira historike, partia që bëri sakrifica të mëdha – emri i së cilës është përmendur më së shumti në Hagë”, shkroi ajo në rrjetet sociale.
Deklaratat e ministres serbe janë dënuar edhe nga Bashkimi Evropian. Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, theksoi se në Evropë nuk ka vend për retorikë që arsyeton apo promovon spastrimin etnik.





