Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u bëri thirrje demokratëve që të mbështesin protestën qytetare kundër qeverisë Rama, duke e cilësuar atë si një betejë kundër “narko-diktaturës” dhe duke kërkuar angazhim maksimal nga strukturat e partisë.
Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD-së, Berisha deklaroi se partia ndodhet në një moment kyç të ristrukturimit të saj, ndërsa theksoi se misioni kryesor mbetet rikthimi i votës së lirë dhe rotacioni politik.
“Jemi në një moment final të strukturimit të institucioneve të PD-së, një moment nga më të rëndësishmit në historinë e PD-së dhe të vendit. PD, me finalizimin e këtij procesi, vazhdon me të gjithë potencialin e saj misionin e rikthimit të votës së lirë të shqiptarëve dhe natyrisht rikthimin në pushtet, rotacionin e pushtetit”, u shpreh Berisha.
Ai vlerësoi protestuesit që prej 46 ditësh janë mbledhur në bulevardin e Tiranës, duke e cilësuar qëndresën e tyre si heroike.
“Le të shprehim nderimin më të madh atyre dhjetëra mijëra qytetarëve që çdo natë luftojnë me diktaturën, narko-diktaturën ndër më të egrat dhe më të shëmtuarat në Europë dhe botë. Gjithçka zhvillohet sot në rrugët dhe sheshet e Tiranës është një betejë e kauzës më të drejtë që mund të ketë njeriu, një betejë me njërin nga tre armiqtë e tij – tiraninë”, deklaroi kreu i PD-së.
Berisha tha se Partia Demokratike ka zhvilluar mbi 400 protesta gjatë tre viteve të fundit dhe ka arritur, sipas tij, të ndërkombëtarizojë denoncimet për procesin zgjedhor.
“PD vjen në këtë moment si një parti e pamposhtur. Vjen pasi ia doli të denoncojë me sukses në mbarë botën farsën elektorale të diktaturës autoritare. Arritje e jashtëzakonshme ishte njohja e kësaj farse nga Parlamenti Europian. Vetëm dy javë më parë, në rezolutën e votuar dhe dokumentet e partive europiane u damkos narko-euro shqiptare, monedha e baronëve të drogës që po shkatërron ekonominë shqiptare”, u shpreh ai.
Në vijim, Berisha u bëri thirrje demokratëve që të mbështesin protestën, pavarësisht sloganeve apo kritikave që mund të dëgjohen ndaj Partisë Demokratike.
“Është detyrë e çdo demokrati dhe demokrateje ta mbështesë atë me të gjitha mundësitë që ka. Nuk ka bekim më të madh nga Zoti sesa të protestosh çdo ditë kundër kësaj narko-diktature. Në rast se aty hidhen parulla apo slogane kundër PD-së, ato nuk janë pengesë për asnjë demokrat që ta mbështesë protestën”, tha ai.
Kreu i demokratëve shtoi se në protestë janë të pranishëm edhe përfaqësues të asaj që ai e quajti “opozita e opozitës”, por theksoi se kjo nuk duhet të ndikojë në qëndrimin e PD-së.
“Aty janë disa eksponentë të opozitës së opozitës që janë vegël e qeverisë. Ne kurrë nuk lejojmë që gjethet të na pengojnë të shohim trungun. PD, e sigurt në misionin e saj, duhet të jetësojë plotësisht parimet themelore të shpallura në Kuvend, ripërtëritjen. Pa ripërtëritje nuk mund të ecim me kohën”, përfundoi Berisha.





