Spanja është rikthyer në shtëpi si kampione e botës. Pas triumfit në Kupën e Botës 2026, kombëtarja spanjolle mbërriti në aeroportin Madrid-Barajas, ku u prit me entuziazëm të madh nga tifozët, përpara se të nisej drejt Pallatit Zarzuela për pritjen zyrtare nga familja mbretërore.
Kapiteni Rodri zbriti nga avioni duke mbajtur në duar trofeun e Kupës së Botës, ndërsa atmosfera festive shoqëroi çdo moment të kthimit të “La Roja”-s në kryeqytetin spanjoll.
Në Pallatin Zarzuela, Mbreti Felipe VI përgëzoi lojtarët dhe stafin teknik për suksesin historik, duke e cilësuar triumfin një moment krenarie për të gjithë vendin.
“Ishte një fitore epike. Ishte një privilegj dhe kënaqësi t’ju shihnim të luanit në finale dhe të ishim në gjendje të festonim me ju atë moment kur ngritët trofeun, me mirënjohje të madhe nga e gjithë Spanja”, u shpreh Mbreti Felipe.
Më tej, ai kujtoi se Spanja rikthehet në majën e futbollit botëror pas një pritjeje të gjatë.
“Pas 16 vitesh, falë jush, Spanja është përsëri kampione bote”, deklaroi ai.
Mbreti vlerësoi edhe sakrificat e skuadrës gjatë rrugëtimit drejt titullit, duke theksuar se çdo vështirësi u shpërblye me trofeun më të rëndësishëm të futbollit.
“Keni vuajtur, po ktheheni pak të lodhur dhe të dërrmuar, keni marrë disa kritika, por çfarë është e gjitha kjo në krahasim me gëzimin e sjelljes në shtëpi të trofeut?”, u shpreh ai.
Triumfi në Botërorin 2026 i jep Spanjës titullin e dytë kampion bote në histori, 16 vjet pas suksesit të parë të arritur në Afrikën e Jugut në vitin 2010.





