Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka vendosur tarifa doganore prej 50% ndaj një game të gjerë mallrash të importuara nga Kanadaja, duke përshkallëzuar më tej tensionet tregtare mes dy vendeve fqinje.
Sipas njoftimit të Shtëpisë së Bardhë, masat do të prekin importe me vlerë rreth 20 miliardë dollarë dhe do të hyjnë në fuqi pas 30 ditësh.
Tarifat do të zbatohen për produkte të konsumit dhe mallra industriale, përfshirë verën, shkopinjtë e hokejit dhe çimenton. Nga kjo masë do të përjashtohen energjia, kaliumi, mineralet kritike dhe peshku.
Administrata amerikane argumenton se vendimi vjen si përgjigje ndaj asaj që e konsideron trajtim të pabarabartë të automjeteve, produkteve të bulmetit dhe pijeve alkoolike amerikane në tregun kanadez.
Tarifat e reja do të zbatohen edhe për mallrat që mbulohen nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë mes SHBA-së, Kanadasë dhe Meksikës (USMCA), duke zgjeruar ndjeshëm masat tregtare mes dy vendeve.
Nga ana tjetër, kryeministri kanadez Mark Carney deklaroi se Kanadaja është e gatshme të intensifikojë bisedimet tregtare me Shtetet e Bashkuara në javët e ardhshme.
Carney e cilësoi vendimin si një tjetër veprim të njëanshëm që, sipas tij, bie ndesh me marrëveshjen tregtare mes tre vendeve, ndërsa ngriti edhe shqetësime lidhur me respektimin e sovranitetit të Kanadasë.
Masat e fundit i shtohen tarifave ekzistuese që SHBA ka vendosur ndaj çelikut, aluminit, bakrit, drurit dhe pjesëve të automjeteve nga Kanadaja. Ndërkohë, Kanadaja vijon të zbatojë kundërtarifa prej 25% për importe të përzgjedhura të çelikut, aluminit dhe automjeteve amerikane.
Mosmarrëveshjet tregtare mes Uashingtonit dhe Otavës janë përqendruar prej kohësh te industria e automjeteve, produktet e bulmetit dhe pijet alkoolike. SHBA kundërshton taksat dhe kufizimet që Kanadaja aplikon në këta sektorë, ndërsa autoritetet kanadeze kanë lidhur heqjen e bojkotit ndaj pijeve alkoolike amerikane me heqjen e tarifave amerikane për sektorët kryesorë të ekonomisë së tyre.
Pavarësisht përshkallëzimit të tensioneve, negociatorët e të dy vendeve po vijojnë bisedimet në përpjekje për të arritur një marrëveshje që do të ulte barrierat tregtare dhe do të shmangte një konflikt ekonomik edhe më të thellë.





