Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbërritur në Kuvend së bashku me deputetët demokratë, ndërsa jashtë godinës vijon protesta e thirrur në ditën e seancës së fundit plenare të këtij sesioni parlamentar.
Nga ambientet e jashtme të Parlamentit, Berisha dha një deklaratë për mediat, ku kërkoi shpërndarjen e Kuvendit, duke e cilësuar këtë si të vetmen rrugë për t’i hapur vendit një zgjidhje të re politike.
“I vetmi akt i përgjegjshëm i tij është të deklarojë fundin e tij, shkrirjen e tij dhe hapjen e rrugës për zgjidhjen që kërkojnë mbarë rinia dhe qytetarët shqiptarë. Çdo akt tjetër është fund e krye i pavlerë. Ndaj dhe ne kërkojmë sot vetëshpalljen, shkrirjen e këtij Parlamenti. Ky është i vetmi vendim i drejtë që parlamenti mund të marrë sot”, u shpreh Berisha.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur situata jashtë Kuvendit mbetet e tensionuar, me protestuesit që janë mbledhur për të shprehur kundërshtimin ndaj mazhorancës dhe zhvillimeve politike në vend.





