Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka reaguar në seancën plenare lidhur me mjetet e përdorura nga Policia e Shtetit gjatë menaxhimit të protestave, pas kritikave dhe pyetjeve të ngritura nga deputetët e opozitës.
Lamallari deklaroi se pajisjet e përdorura nga efektivët janë mjete profesionale të certifikuara, të cilat përdoren edhe nga forcat ligjzbatuese në vendet e Bashkimit Europian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Konfirmoj që lëndët e përdorura nga Policia e Shtetit janë RSG8 TW1000 Professional dhe VESK RSG 8000 Special, lëndë speciale irrituese profesionale për vetëmbrojtje dhe neutralizim të personave të dhunshëm, të certifikuara dhe të përdorura nga forcat policore në vendet e Bashkimit Europian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Lamallari.
Ministri theksoi se përdorimi i këtyre mjeteve bëhet për neutralizimin e personave që kryejnë akte të dhunshme dhe për ruajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë tubimeve.
Gjatë replikës së tij në Kuvend, Lamallari kritikoi opozitën për qëndrimin ndaj personave që, sipas tij, përdorin dhunën gjatë protestave, duke kërkuar distancim nga këto akte.
“Lajmi nuk është spray i përdorur. Lajmi është që partia e ‘molotovarëve’ është shndërruar në parti të ‘skuthave’, që hedhin gurin dhe fshehin dorën”, shtoi ministri.





