Dy persona janë vënë përpara përgjegjësisë ligjore në Fier, pasi dyshohet se kanë ndezur zjarre për djegien e mbetjeve bimore, por flakët kanë dalë jashtë kontrollit duke përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme me shkurre, ullinj dhe bimësi të ndryshme.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier, kanë identifikuar dhe kapur autorët e dyshuar të dy rasteve të zjarrvënies në fshatra të ndryshëm të qarkut.
Sipas policisë, personat janë konstatuar pranë vatrave të zjarrit që kishin ndezur. Në vijim të veprimeve procedurale, është arrestuar në flagrancë shtetasi Sh. Sh., 58 vjeç, banues në fshatin Varibop, Fier.
Ai dyshohet se kishte ndezur zjarr në tokën që kishte marrë me qira, ndërsa gjatë shoqërimit në ambientet e policisë ka kundërshtuar punonjësit e rendit.
Ndërkohë, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasen F. P., 78 vjeçe, banuese në fshatin Fermë Rroms, Fier, e cila u kap pranë vatrës së zjarrit që kishte ndezur në afërsi të banesës së saj.
Nga veprimet hetimore paraprake rezulton se zjarret e ndezura për djegien e mbetjeve bimore janë përhapur në sipërfaqe të konsiderueshme, duke shkaktuar dëme në bimësi dhe pemë frutore, si dhe duke rrezikuar banesa pranë zonave të prekura.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme hetimore.





