Seanca e djeshme parlamentare u mbyll me tensione dhe përplasje mes opozitës dhe mazhorancës, pasi deputetët demokratë bllokuan foltoren e Kuvendit duke kundërshtuar zhvillimin e votimeve.
Deputetët e Partisë Demokratike u ngritën në këmbë, krijuan zhurmë në sallë dhe goditën tavolinat me duar dhe bidonë plastikë, në shenjë revolte ndaj vendimit për kalimin direkt në votim të disa çështjeve pa zhvilluar diskutime.
Sipas mazhorancës, propozimi për votim të drejtpërdrejtë u bë pasi deputetët demokratë nuk po lironin foltoren e Kuvendit. Për pasojë, shumica parlamentare vijoi procedurën dhe miratoi njëra pas tjetrës projektligjet dhe projektrezolutat, pa pjesëmarrjen aktive të opozitës në debat.
Gjatë seancës u zgjodh edhe kreu i ri i Këshillit të Prokurorisë Publike, Ismail Shehu.
Ndër vendimet e miratuara ishin disa projektrezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të drejtësisë dhe kontrollit gjatë vitit 2025, përfshirë Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Kontrollin e Lartë të Shtetit, Prokurorinë e Përgjithshme, SPAK-un, Avokatin e Popullit dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.
Po ashtu, Kuvendi miratoi edhe akte normative dhe projektligje të tjera, mes të cilave ndryshime në buxhetin e vitit 2026, financimin e një aktiviteti kulturor-turistik me përmasa ndërkombëtare, si dhe disa nisma për shoqëritë dhe grupimet ekonomike me interes evropian.
Mazhoranca i miratoi projektligjet me shumicë votash, ndërsa deputetët e opozitës votuan kundër në disa prej tyre.
Seanca u zhvillua në një klimë të tensionuar politike, në një kohë kur jashtë Kuvendit vijojnë protestat e opozitës kundër qeverisë.





