Fundjava e fundit e muajit korrik ka sjellë fluksin më të lartë të hyrjeve të qytetarëve të Kosovës në Shqipëri, përmes Pikës së Kalimit Kufitar Morinë, krahasuar me fundjavat e muajve qershor dhe korrik.
Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Emigracionin, në Stacionin e Policisë Kufitare Morinë, nga data 25 korrik 2026, ora 05:00, deri më 26 korrik 2026, ora 08:30, janë regjistruar 45,518 shtetas të Kosovës që kanë hyrë në territorin shqiptar.
Gjatë kësaj periudhe, kufirin e kanë kaluar edhe 12,790 automjete me targa të Kosovës dhe Shqipërisë.
Autoritetet kufitare e lidhin këtë rritje të ndjeshme të lëvizjeve me afrimin e muajit gusht, periudhë kur nis pjesa më e madhe e pushimeve verore. Një ndikim të rëndësishëm ka edhe ardhja e diasporës kosovare në vendlindje, e cila tradicionalisht zgjedh të kalojë pushimet në bregdetin shqiptar, por edhe në destinacionet turistike malore.
Përballë fluksit të shtuar, strukturat e Policisë Kufitare në Morinë kanë vijuar angazhimin për menaxhimin e lëvizjeve, duke mbajtur në funksion të gjitha sportelet dhe duke zbatuar procedura të përshpejtuara për udhëtarët.
Për mjetet me targa të Kosovës dhe Shqipërisë vijon zbatimi i marrëveshjes për kalim pa kontrolle, ndërsa automjetet me targa të huaja trajtohen përmes procedurave të përshpejtuara.
Autoritetet presin që fluksi i hyrjeve në pikën kufitare të Morinës të vijojë të jetë i lartë edhe gjatë javëve në vazhdim, për shkak të sezonit turistik dhe rritjes së lëvizjeve drejt bregdetit shqiptar.





