Një atentat i rëndë me armë zjarri ka tronditur zonën e Dukagjinit në Shkodër, ku kanë mbetur të vrarë babë e bir, ndërsa një person tjetër ka mbetur i plagosur.
Viktimat janë identifikuar si Prelë Gjoni, 82 vjeç, dhe djali i tij, Lekë Gjoni, 57 vjeç. Në automjet ndodhej edhe Lazër Bashi, i cili mbeti i plagosur, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur rreth orës 16:00, në rrugën e fshatit Xhan. Babë e bir po ktheheshin nga banesa e tyre e vjetër në Dukagjin drejt Shkodrës, kur, pa dalë ende nga rruga e fshatit, dy persona të paidentifikuar dyshohet se kanë hapur zjarr në drejtim të automjetit.
Në vendngjarje janë gjetur më shumë se 50 gëzhoja. Sipas të dhënave paraprake, autorët kanë përdorur dy armë zjarri, një kallashnikov dhe një MP5. Përdorimi i dy armëve ka forcuar dyshimet e hetuesve se në atentat mund të kenë marrë pjesë të paktën dy persona.
Lazër Bashi, i cili ndodhej në pjesën e pasme të automjetit, ka mbijetuar. Ai fillimisht është transportuar në Spitalin e Shkodrës dhe më pas është dërguar në Tiranë për mjekim të specializuar.
Pas marrjes së njoftimit, në zonë janë angazhuar dhjetëra forca policie dhe efektivë të RENEA-s, të cilët kanë nisur kontrollet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Policia është njoftuar rreth orës 17:20, ndërsa efektivët kanë mbërritur në vendngjarje rreth orës 19:00, për shkak të terrenit të vështirë malor dhe distancës së madhe.
Pista e divorcit dhe aktiviteti i viktimës
Familjarët kanë deklaruar para hetuesve se Prelë dhe Lekë Gjoni nuk njiheshin si persona me konflikte dhe se nuk kishin dijeni për kërcënime të mëparshme ndaj tyre.
Sipas dëshmive të tyre, një ditë para atentatit babë e bir kishin shkuar në banesën e vjetër në Dukagjin, ku mbanin edhe disa koshere bletësh. Më pas ishin nisur normalisht drejt banesës së tyre në zonën e Grudës, në Shkodër.
Një nga pistat që po verifikohet nga policia lidhet me divorcin e 57-vjeçarit rreth tre muaj më parë nga bashkëshortja e tij, me të cilën kishte katër fëmijë. Megjithatë, deri tani nuk ka prova konkrete që ta lidhin atentatin me divorcin dhe kjo mbetet vetëm një pistë hetimore.
Hetuesit po verifikojnë gjithashtu aktivitetin e Lekë Gjonit. Ai punonte me një kamion dhe ditët e fundit kishte transportuar materiale ndërtimi për një banesë në fshatin Gjuraj të Dukagjinit. Gjithashtu, kishte një eskavator, me të cilin punonte së bashku me një tjetër banor të zonës.
Terreni i vështirë, pengesë për hetimin
Zbardhja e ngjarjes paraqet vështirësi për grupin hetimor për shkak të terrenit të thyer malor, mungesës së sinjalit telefonik dhe kamerave të sigurisë në zonë.
Koha e gjatë nga momenti i atentatit deri në mbërritjen e policisë dyshohet se mund t’u ketë dhënë autorëve mundësinë të largohen nga zona.
Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, zbardhjen e plotë të dinamikës së atentatit dhe përcaktimin e motivit të vrasjes së dyfishtë.





