Pas arrestimit të Ergys Agasit, i shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të hetimeve për çështjen e lidhur me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, publikimi i fotografive të tij nga brenda automjetit të Policisë ka vënë në lëvizje Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.
Pas javësh ndjekjeje, Forcat Operacionale të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, vunë në pranga Agasin. Pas arrestimit, si Policia e Shtetit, ashtu edhe SPAK reaguan zyrtarisht përmes njoftimeve për mediat, duke publikuar pamje dhe të dhëna lidhur me operacionin.
Në komunikimet zyrtare u respektuan standardet e prezumimit të pafajësisë për personat nën hetim, ndërsa identiteti i të arrestuarit u paraqit me iniciale dhe fytyra iu mbulua. Këto praktika lidhen edhe me detyrimet ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale.
Por situata ndryshoi pas publikimit të fotografive të Agasit në media.
Fotografi të tij, të shkrepura brenda automjetit të Policisë gjatë transportimit nga Durrësi drejt Tiranës, u bënë virale në rrjet dhe në media. Pamje të tjera u publikuan edhe nga ambientet e shoqërimit në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës.
Publikimi i këtyre fotografive ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si janë aksesuar dhe nxjerrë nga strukturat policore këto pamje, si dhe mbi respektimin e rregullave për administrimin dhe përpunimin e të dhënave personale.
Pikërisht për këtë arsye, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur një hetim administrativ, me qëllim identifikimin e personave që kanë realizuar dhe shpërndarë fotografitë e të arrestuarit.
Grupet e hetimit të AMP-së ndodhen në terren dhe po kryejnë verifikime lidhur me punonjësit e Policisë së Tiranës. Në fokus është mënyra se si janë realizuar, aksesuar dhe nxjerrë jashtë strukturave policore fotografitë e Agasit.
Hetimi pritet të përcaktojë nëse pamjet janë realizuar nga punonjës policie, kush ka pasur akses në ambientet dhe automjetin ku ndodhej i arrestuari dhe nëse ka pasur shkelje të rregullave për ruajtjen dhe përpunimin e të dhënave personale.
Në përfundim të verifikimeve, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore pritet të reagojë zyrtarisht dhe të bëjë me dije rezultatet e hetimit administrativ.





