26.5 C
Tiranë
Sunday, September 22, 2024
spot_img

Rama: “Të gjitha dhuratat që tejkalojnë një vlerë të caktuar financiare duhen inventarizuar”

Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e parë të qeverisë, pas betimin në zyrën e Presidencës, ka folur për Kodin Etik që duhet të zbatojnë drejtuesit e institucioneve ekzekutive në mandatin e tretë.

Rama theksoi në fjalën e tij se të gjithë ministrat duhet të deklarojnë dhuratat e marra në takimet zyrtare, pavarësisht vlerës së tyre dhe duhet t’i depozitojnë ato në magazinën e dhuratave në kryeministri.

“Të gjitha dhuratat që tejkalojnë një vlerë të caktuar financiare duhen inventarizuar. Këto të gjitha mund të tingëllojnë si gjëra të vogla, apo kinezërira, por janë norma të zbatuara në të gjitha shtetet. Kodi do të vlejë njësoj edhe për zv/ministrat. Duhet të marrin dhe mbajnë përgjegjësi. Është detyra juaj të ndiqni procesin e rregullave që do të zbatojmë për ta.

Sot kryeministria ka një muze ku janë dhuratata dhe një magazinë ku ruhen dhuratat, që nga medalionet, ose objete të ndryshme artistive, pavarësisht vlerës së tyre të ulët apo të lartë, deri te dhurata me vlerën më të lartë.

Deri në vitin 2013 nuk u la në këtë godinë asnjë dhuratë protokollare. A që thua këtu se deri në 2013 këtu ka qenë ndonjë fuqi pushtuese që nuk ka lënë asgjë pasi ka ikur.

Madje jo vetëm nuk kanë lënë atë që kanë marrë por kanë marrë piktura, kompjtuera, lugë, pirunj, filxhanë. Çdo gjë duhet shkruar në aneksin e kodit. Çdo gjë duhet dorëzuar në stok. Të gjitha mund të tingëllojnë si gjëra të vogla por në fakt janë norma të zbatuar në të gjitha shtetet që meritojnë të quhen të tilla”, tha Rama.

Gjithashtu kryeministri theksoi se anekset e Kodit Etik që pritet të miratohen në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave do të jenë të vlefshme jo vetëm për ministrat por edhe për drejtuesit e institucioneve lokale dhe qëndrore.

“Ky popull nuk i ka borxh asnjë përfaqësuesi të lartë kapadallukën dhe karshillëkun publik të shefave të çfarëdollojshëm në territor. Më kanë bërë të ndihem keq në sytë e publikut disa raste të drejtorëve të institucioneve të cilët papërgjegjmërisht organizojnë mbrëmje tematiko-dëfrimi me kolektivin. Nuk flas as për 8 Marsin, as për vitin e ri, ku mund të organizohen festa por kurrësesi me fondet e agjensive dhe drejtorive. Apo ndërrmarin udhëtime pune me kanakarët e tyre jashtë shtetit, prej të cilave postojnë pa asnjë gajle momente të hareshme këndelljesh turistike, duke e bërë të neveritshme figurën e zyrtarit. Asnjë udhëtim jashtë shtetit që nuk ka marrë miratimin tuaj nuk do konsiderohet në përputhje me etikën e kësaj qeverie”, u shpreh Rama.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT