Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se LDK-ja heq dorë nga çdo kërkesë për postin e kryeparlamentarit, presidentit dhe pjesëmarrjen në Qeveri, duke ia lënë Lëvizjes Vetëvendosje mundësinë për t’i mbajtur të gjitha postet.
“Meqë LVV-ja nuk po e konsideron se ka nevojë për LDK-në si partnere, atëherë nuk do ta ketë dekor as për pushtetin e saj. Ne do të qëndrojmë në opozitë dhe do ta ushtrojmë këtë përgjegjësi me dinjitet”, tha Abdixhiku në një konferencë për media.
Megjithatë, ai theksoi se LDK-ja do të kontribuojë në procesin e zgjedhjes së presidentit të ri, por vetëm nëse plotësohen disa kushte. Sipas Abdixhikut, kreu i ri i shtetit duhet të jetë një figurë që mbron Republikën dhe kushtetutshmërinë.
“Ta zgjedhim një president që i shërben Republikës, jopartiak, e jo një president karate”, u shpreh ai, duke shtuar se propozimet e njëanshme partiake do të refuzohen.
Abdixhiku tha se LDK-ja duhet të jetë pjesë e procesit të zgjedhjes së presidentit, pasi pa pjesëmarrjen e saj nuk do të mund të sigurohej prania e nevojshme në Kuvend. Sipas tij, emri i presidentit duhet të dalë pas diskutimeve të detajuara mes partive.
“Propozimet e njëanshme janë të refuzueshme”, tha ai.
Kurti i ofroi zv/kryeministrin dhe tri ministri
Abdixhiku bëri të ditur gjithashtu se gjatë takimeve me kryetarin e LVV-së, Albin Kurti, i ishte ofruar posti i zëvendëskryeministrit dhe tri ministri, por LDK-ja nuk e kishte pranuar ofertën.
LDK-ja, sipas tij, kishte kërkuar postin e presidentit dhe pjesëmarrje në ekzekutiv, por negociatat nuk prodhuan marrëveshje.
Tashmë Abdixhiku kërkon që Kuvendi të konstituohet pa vonesë dhe që LVV-ja të formojë Qeverinë e re.
Kosova vijon të jetë në një ngërç institucional pas zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit. Kuvendi ende nuk është konstituuar, ndërsa afati 30-ditor për përfundimin e këtij procesi ka skaduar më 7 gusht.
Muhaxhiri: “Oferta e Abdixhikut është e vonuar”
Analisti politik Artan Muhaxhiri e ka cilësuar ofertën e Abdixhikut si “të çuditshme” dhe “të vonuar”, duke vlerësuar se ajo nuk ofron një zgjidhje reale për krizën.
“Puna më e mirë që zoti Abdixhiku do të bënte është që të takohet me liderë të tjerë opozitarë dhe kësisoj ta krijonin një front të përbashkët, pakrahasueshëm më të fuqishëm sesa partitë opozitare veç e veç”, tha Muhaxhiri.
Sipas tij, Abdixhiku është distancuar si nga partitë e tjera opozitare, ashtu edhe nga Kurti, gjë që, në vlerësimin e tij, i shkon në favor LVV-së.
Muhaxhiri argumenton se propozimi për një president jopartiak nuk është i ri dhe se për këtë arsye nuk ka pasur nevojë që negociatat mes LDK-së dhe LVV-së të zgjasnin kaq shumë.
“Kompromisi maksimal që mund ta bëjë zoti Kurti është që ta japë kryetarin e Parlamentit, dhe këtë po e thonë edhe gjatë këtyre ditëve, dhe kjo ofertë e zotit Abdixhiku me siguri do të jetë krejtësisht e papranueshme për zotin Kurti”, tha ai.
Analisti e konsideron gjithashtu “gabim të madh” qëndrimin e Abdixhikut se LDK-ja do të kontribuojë për zgjedhjen e presidentit, por me kushte.
Sipas tij, LDK-ja, PDK-ja dhe Aleanca duhet të bashkërendojnë qëndrimet dhe të krijojnë një alternativë të përbashkët përballë Kurtit.
Nëse opozita arrin të propozojë një kandidat të denjë për president, Muhaxhiri vlerëson se kjo do të krijonte presion politik dhe publik ndaj LVV-së.
Ndërkohë, si LDK-ja, ashtu edhe PDK-ja dhe Aleanca kanë deklaruar se synojnë të qëndrojnë në opozitë.





