Policia e Tiranës ka arrestuar Marius Xhepën, 30 vjeç, i cili akuzohet se i ka vënë flakën dy automjeteve në pronësi të xhaxhait të tij, Gëzim Xhepa, si dhe për vjedhje në disa banesa dhe një automjet në kryeqytet.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 17 mars 2025 në rrugën “Hamdi Cenoymeri” në Kombinat. Hetimet treguan se shkak i zjarrvënies është një konflikt i vjetër pronësie mes familjeve, pasi Marius Xhepa pretendonte se pronat që ka regjistruar xhaxhai i tij në emrin e vet i përkisnin babait të tij.
Sipas burimeve për Report TV, 30-vjeçari është djali i Liri Xhepës, e cila u vra në vitin 2019 nga kunati i saj, pikërisht për të njëjtat konflikte pronësie.
Operacioni policor, i koduar “The pursuit”, u zhvillua nga Komisariati Nr. 6. Në njoftimin zyrtar, Policia tha:
“Autori i dyshuar i djegies së dy automjeteve dhe i katër vjedhjeve, u kap dhe u vu në pranga. Ai dyshohet se ka kryer vjedhje parash dhe sendesh me vlerë në tre banesa dhe një automjet gjatë muajve të fundit në Tiranë.”
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme.<






