Vijojnë hetimet për zbardhjen e atentatit të ndodhur më 26 prill 2026 në fshatin Balldren, ku mbetën të vrarë bashkëshortët Kreshnik dhe Gentjana Mujeci. Policia ka arritur të zbulojë dhe sekuestrojë një sërë provash që konsiderohen kyçe për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Sipas të dhënave zyrtare, në fshatin Torovicë, në banesën e shtetasit B. K., është gjetur automjeti tip “Volkswagen Polo”, pa targa, i dyshuar si i përdorur nga autorët gjatë kryerjes së krimit. Brenda mjetit janë sekuestruar dy gëzhoja model 56, ndërsa automjeti rezulton me dëmtime në xhamin e pasmë dhe në pjesët anësore.
Në të njëjtin ambient është konstatuar edhe një automjet tjetër i ngjashëm, por me targa të rregullta dhe në pronësi të të njëjtit shtetas, çka dyshohet se është përdorur për të fshehur gjurmët e krimit. Gjatë kontrollit janë gjetur gjithashtu veshje të dyshuara si të përdorura nga autorët dhe disa palë targa.

Nga hetimet paraprake dyshohet se shtetasi F. M. ka siguruar automjetin e përdorur në atentat, të marrë fillimisht me qira në Rinas nga një familjare e tij. Pas heqjes së targave, mjeti dyshohet se është përdorur në bashkëpunim me një person tjetër të shpallur në kërkim, për t’i prerë rrugën viktimave dhe për të hapur zjarr ndaj tyre. Më pas automjeti është fshehur në banesën e B. K., i mbuluar me bar, për të humbur gjurmët.
Në vijim të veprimeve hetimore, Policia ka shpallur në kërkim shtetasin B. K., 22 vjeç, banues në Torovicë, i dyshuar për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municionit”. Për të njëjtat vepra penale është proceduar edhe babai i tij, N. K., 79 vjeç.
Hetimet vijojnë intensivisht për identifikimin dhe kapjen e të gjithë personave të përfshirë në këtë ngjarje, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.






