Mbi 5,700 vdekje më shumë se niveli i pritshëm janë regjistruar në Francë gjatë valës së të nxehtit të muajit qershor, duke shënuar bilancin më të rëndë që nga vala historike e vapës në vitin 2003.
Të dhënat paraprake janë publikuar nga autoriteti shëndetësor francez, Santé publique France, sipas të cilit nga 17 qershori deri më 2 korrik u regjistruan 5,764 vdekje shtesë. Pothuajse gjysma e tyre ndodhën vetëm gjatë periudhës 25–27 qershor.
Autoritetet sqarojnë se bëhet fjalë për vdekje nga të gjitha shkaqet dhe se ato nuk mund t’i atribuohen ende drejtpërdrejt temperaturave të larta, megjithëse ndikimi i valës së të nxehtit konsiderohet i jashtëzakonshëm.
Sipas raportit, vdekshmëria e tepërt është konstatuar në të gjitha grupmoshat mbi 15 vjeç, me ndikimin më të madh te personat mbi 45 vjeç. Nga 5,764 vdekjet shtesë, plot 3,719 i përkasin personave 75 vjeç e lart, duke konfirmuar se të moshuarit mbeten grupi më i rrezikuar.
Ndërkohë, në grupmoshën 45–64 vjeç janë regjistruar 979 vdekje shtesë, ose 55% më shumë se niveli i pritshëm.
Autoritetet bëjnë të ditur se 98.5% e popullsisë franceze u prek nga temperaturat ekstreme, ndërsa vala e të nxehtit përfshiu 92 rajone administrative. Situata më kritike u regjistrua në rajonin e Parisit (Île-de-France), ku u raportuan 1,999 vdekje shtesë, pothuajse dyfishi i nivelit normal.
Shifrat paraprake kanë nxitur debat politik në Francë, me opozitën që akuzon qeverinë për mungesë përgatitjeje për përballimin e temperaturave ekstreme. Nga ana tjetër, autoritetet shëndetësore theksojnë se vala e të nxehtit e këtij viti ishte e pazakontë për shkak të fillimit të hershëm, kohëzgjatjes dhe shtrirjes së saj në pothuajse të gjithë territorin e vendit.
Ekspertët paralajmërojnë se ekspozimi i zgjatur ndaj temperaturave të larta rrit ndjeshëm rrezikun për grupet më të cenueshme, si të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike.





