Në festën e organizuar nga Top Channel pas përfundimit të “Big Brother VIP 5”, drejtuesja e projektit, Sara Hoxha, ka falënderuar stafin, bashkëpunëtorët dhe opinionistët për punën e tyre gjatë gjithë sezonit.
Gjatë fjalës së saj, ajo është ndalur veçanërisht te moderatori Ledion Liço, të cilin e ka vlerësuar për kontributin e tij në format.
“Dua të falënderoj Ledionin, i cili i jep shkëlqim këtij formati dhe realisht është fituesi i çdo sezoni të Big Brother-it. Kam mësuar shumë prej teje, mësoj çdo ditë prej teje dhe jam shumë mirënjohëse që këtë rrugëtim e ndajmë bashkë,” është shprehur Sara Hoxha.
Marrëdhënia mes tyre ka qenë prej kohësh në qendër të vëmendjes publike, pas aludimeve për një ndarje, megjithëse deri më tani nuk ka pasur as konfirmim dhe as mohim zyrtar nga palët.
Gjatë finales së këtij sezoni, Ledion Liço është surprizuar nga stafi me një video-mesazh nga familja e tij. I emocionuar, ai ka falënderuar publikisht Sarën, duke u shprehur:
“Kjo është hera e vetme që unë e lejoj veten të jem kaq vulnerabël si Ledion, jo si moderator. Jam në një pikë që e kam shumë të vështirë të lotoj, më duket sikur më janë tharë lotët. Por nuk jam fort i bindur që meritoj asgjë nga këto që kam. Dhe nuk jam fort i bindur që unë dhe shumë nga e gjithë kjo meritojnë Sara Hoxhën.”
Momentet e shkëmbyera gjatë finales dhe festës pas saj kanë tërhequr vëmendje të madhe në rrjet, duke shtuar diskutimet rreth raportit të tyre, i cili vijon të mbetet publikisht i paqartë.






