BERAT – Një ngjarje e rëndë është regjistruar ditën e djeshme në Berat, ku një 38-vjeçar ka humbur jetën pasi kishte konsumuar një sasi helmesh në banesën e tij.
Sipas të dhënave paraprake, 38-vjeçari, banues në lagjen “Barrikadë”, u gjet në gjendje të rënduar nga familjarët. Ai u transportua me ambulancë drejt Spitalit Rajonal të Beratit, ku mjekët ndërhynë për t’i shpëtuar jetën.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 38-vjeçari ndërroi jetë rreth dy orë pas mbërritjes në spital.
Pas kryerjes së autopsisë mjeko-ligjore, mësohet se viktima, Ilir Telhaj, kishte konsumuar dy lloje helmesh, fostoksinë dhe helm për minj.
Burimet zyrtare të Policisë bëjnë me dije se në trupin e viktimës nuk janë konstatuar shenja dhune.
Ndërkohë, grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe zbardhjen e rrethanave në të cilat 38-vjeçari konsumoi lëndët helmuese.





