Rreth 300 familje në fshatin Ferras të bashkisë Fier po përballen prej vitesh me një situatë të rëndë mjedisore dhe shëndetësore, pasi ujërat e zeza dalin në sipërfaqe dhe shpesh përmbytin oborret dhe katet e para të banesave.
Banorët shprehen se problemi përkeqësohet veçanërisht gjatë reshjeve të shiut, si dhe kur lumi Vjosa del nga shtrati, duke sjellë përzierje të ujërave të ndotura që rrezikojnë drejtpërdrejt shëndetin e tyre.
Sipas tyre, edhe kolektori i ndërtuar për menaxhimin e ujërave të bardha dhe të zeza nuk po funksionon siç duhet, duke e bërë situatën edhe më të vështirë.
Problematika pranohet edhe nga kryeplaku i Ferrasit, i cili konfirmon shqetësimet e banorëve për gjendjen e krijuar në zonë.
Ndërkohë, nga Shoqëria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve Fier bëhet me dije se investimi i realizuar nga bashkia nuk ka qenë në varësinë e këtij institucioni, por pavarësisht kësaj është planifikuar ndërhyrje për pastrimin e kolektorëve të bllokuar.
Banorët kërkojnë zgjidhje të qëndrueshme, duke theksuar se situata nuk mund të vazhdojë më si problem i përsëritur çdo vit.






