Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në Fier, ku një 45-vjeçar i arrestuar ka plagosur një efektiv policie pasi i rrëmbeu armën e shërbimit gjatë shoqërimit.
Sipas informacioneve paraprake, i arrestuari është Zamir Skenderi, i cili po transportohej nga Komisariati i Fierit drejt Kuçovë, kur ka arritur t’i marrë armën një punonjësi policie dhe ta plagosë atë.
Burime policore bëjnë me dije se gjatë kontrollit fizik, 45-vjeçarit iu gjet e fshehur në trup një sasi lënde narkotike e dyshuar kokainë.
Efektivi i plagosur është transportuar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore dhe, sipas policisë, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe mënyrën se si i arrestuari arriti të merrte armën e shërbimit gjatë shoqërimit.






