Rozalinda Plaka, e vetmja e mbijetuar nga tragjedia e ndodhur në fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku ish-i fejuari i saj vrau prindërit dhe më pas i dha fund jetës, është marrë në pyetje nga grupi hetimor, duke dhënë dëshminë e saj të parë mbi ngjarjen.
Burime nga hetimet bëjnë me dije se 24-vjeçarja është përqendruar vetëm te momentet e mëngjesit të 24 korrikut, pa dhënë ende shpjegime mbi konfliktet e mëparshme me ish-të fejuarin, Refit (Nertil) Buzi, me të cilin ishte njohur që në moshë të re.
Menjëherë pasi u la e lirë nga autori, e reja ka rrëfyer se ishte në gjumë kur dëgjoi zhurma në banesë. Sipas dëshmisë së saj, kur u zgjua pa Refit Buzin brenda dhomës, të armatosur me një armë gjahu.
“Më kërcënoi të shkoja në makinë me të dhe ta ndiqja nga pas”, ka deklaruar ajo para hetuesve.
24-vjeçarja ka treguar se në ato momente nuk e kishte kuptuar përmasën e tragjedisë që kishte ndodhur në banesë.
“Pashë vetëm babanë të shtrirë në kuzhinë, ndërsa nënën nuk arrita ta shihja”, mësohet të ketë dëshmuar ajo.
Lidhur me motivet e krimit, fundin e marrëdhënies me Refit Buzin, si edhe pretendimet e këtij të fundit se i kishte dërguar nga Anglia 830 mijë paund për t’ia ruajtur dhe që nuk i ishin kthyer, Rozalinda Plaka nuk ka dhënë shpjegime. Për këtë arsye, grupi hetimor pritet ta marrë sërish në pyetje në vijim të hetimeve.
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e 24 korrikut në fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku Kosta Plaka humbi jetën në vendngjarje, ndërsa bashkëshortja e tij, Belere Plaka, ndërroi jetë disa orë më vonë në spital si pasojë e plagëve të marra.
Pas krimit, 35-vjeçari Refit Buzi mbajti peng ish-të fejuarën e tij për disa orë dhe, pas afro 10 orësh negociata me Policinë, i dha fund jetës brenda automjetit të tij, duke refuzuar të vetëdorëzohej.





