Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se i ashtuquajturi “revolucion i flamingove” është një shembull i dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja, teksa mori pjesë në konferencën “Përballja me Manipulimin e Informacionit dhe Ndërhyrjen e Huaj: Shqipëria dhe Konteksti i Zgjerimit”.
Konferenca u organizua nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, ndërsa gjatë fjalës së tij Rama u ndal te sfidat që, sipas tij, lidhen me sulmet hibride dhe ndikimin e aktorëve të huaj.
“Duhet të jeni informuar për të ashtuquajturën revolucion i flamingove. Është një shembull i jashtëzakonshëm i një çarje që është krijuar, që u bë një mënyrë për të hyrë armiqtë tanë”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se Shqipëria do të vijojë rrugën drejt Bashkimit Europian, duke nënvizuar nevojën për rritjen e rezistencës ndaj fushatave të manipulimit të informacionit.
“Ecim me vendosmëri drejt fazës së anëtarësimit në BE, është me rëndësi të forcojmë rezistencën ndaj sulmeve hibride. Sa më afër shkon një vend drejt BE, aq më shumë rreken aktorët e huaj për të hyrë tinëzisht brenda dhe për të sulmuar”, deklaroi ai.
Rama shtoi se Shqipëria, sipas tij, ka qenë në qendër të sulmeve hibride dhe fushatave të ndikimit, duke theksuar se institucionet duhet të përshtaten me shpejtësi ndaj këtyre sfidave.
“Ne jemi pararojë, kemi përjetuar sulme hibride dhe fushata. Duhet të mësojmë shpejt dhe të përshtatemi shpejt”, përfundoi kryeministri.





