Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se manipulimi i informacionit dhe ndërhyrjet e huaja janë kthyer në një sfidë të re për demokracitë, duke theksuar se sot nuk nevojitet më një ushtri për të destabilizuar një vend.
Rama ishte i pranishëm në konferencën “Përballja me Manipulimin e Informacionit dhe Ndërhyrjen e Huaj: Shqipëria dhe Konteksti i Zgjerimit”, organizuar nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, ku foli për ndikimin e algoritmeve, platformave digjitale dhe inteligjencës artificiale në opinionin publik.
“Jemi këtu për shkak të një ndërthurjeje mjaft shqetësuese të momentit ku jetojmë, gjeografisë ku bëjmë pjesë dhe trysnisë gërryese, që ndodh në institucionet tona çdo ditë. Ka të bëjë me algoritmet, platformat digjitale. Ka të bëjë me diçka shumë thelbësore. Ka të bëjë me demokracinë, besimin e publikut”, u shpreh Rama.
Kryeministri tha se sot sfida kryesore është mbrojtja e besimit publik dhe perceptimit qytetar, duke argumentuar se fuqia e një vendi nuk lidhet vetëm me kapacitetet ushtarake.
“Sot duhet të mbrojmë diçka jo të dukshme, por vitale. Fuqia nuk matet vetëm me madhësinë e një ushtrie. Fuqia matet edhe me diçka tjetër, me aftësinë për të tjetërsuar perceptimin, për t’i kthyer ndasitë sociale në armë”, deklaroi ai.
Sipas Ramës, shpërndarja e lirë e informacionit është shfrytëzuar edhe për qëllime manipulimi.
“Kemi ardhur në një moment, ku e kemi humbur tërësisht duke pranuar lirinë e shpërndarjes si zgjatim të lirisë së fjalës. Manipulimi dhe ndërhyrja e jashtme mbërrin si përmbajtje e përditshme, si trend viral, si një link që çohet në një grup WhatsApp”, tha kryeministri.
Ai shtoi se fushatat e manipulimit synojnë debatet publike dhe shfrytëzojnë teknologjitë e reja për të ndikuar në shoqëri.
“Flotë gjuhën tonë dhe shënjestron debatet tona të hapura. Sot, manipulimi udhëton me shpejtësinë e algoritmit, e fuqizuar nga inteligjenca artificiale. Nuk duhet më ushtri për të destabilizuar një vend”, përfundoi Rama.





