Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka sekuestruar armën e zjarrit të efektivit të Policisë së Durrësit, Leonard Xhamollari, i cili dyshohet se është përfshirë në një konflikt ku pjesë e ngjarjes ishte edhe 41-vjeçari Denis Tafili, i shpallur në kërkim nga SPAK.
Efektivi Xhamollari, me detyrë ndihmës specialist në sallën e komandimit, ka qenë i pranishëm në ambientin ku ndodhi sherri. Në deklarimet e tij përpara agjentëve të AMP-së, ai ka mohuar çdo lidhje me Tafilin, duke u shprehur se nuk ka pasur komunikim apo bashkëpunim me të kërkuarin e SPAK.
Megjithatë, Edison Gjuzi, personi që u dhunua gjatë konfliktit, pretendon se ka parë efektivin e policisë në disa raste në shoqërinë e Denis Tafilit dhe personit tjetër të dyshuar për dhunën.
Sipas burimeve, AMP po verifikon pamjet e kamerave të sigurisë për të përcaktuar nëse efektivi i policisë ka favorizuar ose ka ndihmuar Tafilin, i cili është person në kërkim.
Sipas njoftimit të Policisë, konflikti ka nisur për motive të dobëta, ku Edison Gjuzi është goditur me sende të forta, përfshirë edhe qytën e një pistolete, nga Denis Tafili dhe një 27-vjeçar me inicialet G. M., të dy banues në Shkallnur të Durrësit.
Pas ngjarjes, dy personat janë larguar me automjet dhe, pavarësisht kontrolleve dhe postblloqeve të ngritura nga policia, nuk janë kapur ende.
Ndërkohë, Denis Tafili është një nga personat e përfshirë në grupin kriminal të drejtuar nga Elvis Doçi, për të cilin SPAK mbylli hetimet në muajin maj të këtij viti.
Grupi u godit vitin e kaluar në kuadër të operacionit të përbashkët me autoritetet italiane “Ura”. Ndaj 24 anëtarëve të tij rëndojnë akuza për trafik ndërkombëtar kokaine, grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash.
Gjatë operacionit u sekuestruan rreth 4 milionë euro para cash dhe pasuri me vlerë rreth 12 milionë euro, kryesisht prona.
Në kuadër të hetimeve u vendosën nën sekuestro edhe kompani ndërtimi, restorante luksoze, një agjenci imobiliare dhe një televizion në Vlorë, të dyshuara se ishin financuar nga aktiviteti kriminal. Në Itali, autoritetet sekuestruan gjithashtu apartamente, kompani, llogari bankare dhe automjete.





