Përparimi i shpejtë i Inteligjencës Artificiale (IA) po shton shqetësimet në Uashington dhe Pekin, ku autoritetet e të dy vendeve e konsiderojnë teknologjinë si kyçe për fuqinë ekonomike dhe ndikimin gjeopolitik, por njëkohësisht edhe si një burim rrezikesh të paprecedenta.
Sipas analizave ndërkombëtare, sa më të avancuara bëhen modelet e IA-së, aq më të mëdha janë shqetësimet se ato mund të përdoren për sulme kibernetike, projektimin e armëve biologjike apo edhe të veprojnë përtej kontrollit njerëzor.
Administrata e presidentit Donald Trump duket se ka ndryshuar qasjen ndaj rregullimit të kësaj teknologjie. Pas përplasjeve me laboratorin amerikan Anthropic, Uashingtoni po shqyrton mundësinë që modelet më të avancuara të Inteligjencës Artificiale t’i nënshtrohen kontrollit qeveritar përpara se të publikohen.
Në prill, kompania Anthropic njoftoi se kishte zhvilluar modelin “Mythos”, të cilin e cilësoi aq të aftë në zbulimin e dobësive të sistemeve të sigurisë kibernetike, sa vendosi të mos e publikojë për përdorim të gjerë.
Zhvillimi u mor seriozisht edhe nga rivalët e SHBA-së. Mediat shtetërore kineze e përshkruan Mythos si një teknologji me “aftësi të paprecedenta për sulme kibernetike”, ndërsa një transmetues rus e cilësoi atë “më të rrezikshëm se një bombë bërthamore”.
Pikërisht këto shqetësime kanë rikthyer në vëmendje nevojën për një diplomaci ndërkombëtare mbi Inteligjencën Artificiale. Sipas raportimeve, zyrtarë dhe ekspertë në SHBA dhe Kinë po shqyrtojnë në mënyrë jozyrtare mundësinë e vendosjes së kufijve të përbashkët të sigurisë për zhvillimin e kësaj teknologjie.
Megjithatë, mosbesimi mes dy fuqive mbetet i lartë. Asnjëra palë nuk dëshiron të ngadalësojë zhvillimin e saj teknologjik, nga frika se mund t’i japë avantazh strategjik rivalit.
Në SHBA, një pjesë e industrisë së teknologjisë beson se krijimi i pari i një modeli vetëpërmirësues të IA-së mund të sjellë një epërsi të jashtëzakonshme strategjike. Ndërkohë, ekspertët kinezë e shohin Inteligjencën Artificiale më shumë si një motor të rritjes ekonomike sesa si një armë.
Xue Lan dhe Yi Zeng, drejtues të institucioneve kineze të kërkimit mbi Inteligjencën Artificiale, kanë bërë thirrje për bashkëpunim global dhe për vendosjen e mekanizmave ndërkombëtarë të sigurisë.
Që pas shfaqjes së ChatGPT në vitin 2022, Kina ka promovuar krijimin e një organi të posaçëm pranë OKB-së për Inteligjencën Artificiale, ndërsa ka propozuar edhe standarde globale për të garantuar që kontrolli mbi teknologjinë të mbetet gjithmonë në duart e njerëzve.
Megjithatë, një marrëveshje dypalëshe mes SHBA-së dhe Kinës shihet si skenari më realist, duke qenë se të dy vendet zotërojnë rreth 90% të fuqisë kompjuterike më të avancuar në botë dhe konsiderohen aktorët me ndikimin më të madh në zhvillimin dhe rregullimin e Inteligjencës Artificiale.





