Një aksident i pazakontë ka shkaktuar kaos në një autostradë në shtetin amerikan të Tennessee, ku një kamion që transportonte rreth një milion bletë është përmbysur gjatë rrugës.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, mjeti ka devijuar nga rruga dhe është përmbysur, duke bërë që një sasi e madhe bletësh të shpërndahej në zonën përreth dhe në karrexhatë.
Si pasojë, një pjesë e autostradës është mbyllur për disa orë, ndërsa autoritetet ndërhynë për të menaxhuar situatën e pazakontë dhe të rrezikshme për drejtuesit e mjeteve.
Shoferëve që ndodheshin pranë vendngjarjes u është kërkuar të qëndrojnë brenda automjeteve derisa situata të vihej nën kontroll, pasi bletët kishin mbushur ajrin dhe zonën përreth rrugës.
Në ndërhyrje janë angazhuar edhe bletarë me pajisje mbrojtëse, të cilët kanë punuar së bashku me ekipet e emergjencës për të mbledhur dhe rikthyer kontrollin e tufës së shpërndarë pranë rrënojave të kamionit.
Autoritetet konfirmojnë se nuk ka persona të lënduar, por mjeti ka pësuar dëmtime të rënda.






