Një ngjarje e rëndë ka tronditur provincën e Asti pranë Torinos, ku autoritetet italiane po hetojnë një krim të trefishtë që përfundoi me vetëvrasjen e autorit të dyshuar.
Sipas mediave italiane, 59-vjeçari shqiptar Astrit Koni dyshohet se ka vrarë ish-bashkëshorten e tij Drita Koni (Meçollari) dhe partnerin e saj të ri, Bardhok Gega, përpara se t’i jepte fund jetës duke u hedhur nga kulla e një kështjelle në zonë.
Ngjarja është zbuluar pas denoncimit për zhdukje të bërë nga familjarët e viktimës, ndërsa trupat e dy personave janë gjetur në një kanal pranë një zone rurale, jo shumë larg vendit ku autori dyshohet se kreu aktin fatal.
Sipas hetimeve paraprake, mes viktimës dhe autorit kishte një marrëdhënie të gjatë prej rreth 20 vitesh, e cila ishte ndërprerë pas ndarjes së çiftit. Autoritetet dyshojnë se motivi i ngjarjes lidhet me xhelozinë dhe konfliktet pas ndarjes, pasi gruaja kishte nisur një lidhje të re.
Pak para vetëvrasjes, autori ka lënë një mesazh të shkurtër ku shprehej për një jetë të shkatërruar emocionalisht, ndërsa më pas është ngjitur në një kështjellë historike dhe është hedhur nga lartësia.
Policia italiane vijon hetimet për të sqaruar plotësisht dinamikën e ngjarjes, ndërsa komuniteti lokal është tronditur nga krimi që ka ndodhur në një zonë të qetë dhe të vogël rurale.






