Një konflikt për motive banale është regjistruar këtë të mërkurë pranë sheshit “Pranvera” në Durrës, ku një person mbeti i lënduar dhe u dërgua për trajtim në Spitalin Rajonal.
Sipas informacioneve paraprake, përplasja ka nisur fillimisht me debate verbale në një pikë postare të zonës. Më pas, konflikti është zhvendosur jashtë në rrugë, ku situata ka degjeneruar në dhunë fizike.
Si pasojë e goditjeve, njëri prej të rinjve ka mbetur i plagosur dhe është transportuar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Ndërhyrja e menjëhershme e forcave të “Shqiponjës” bëri të mundur lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar vetëm pak minuta pas ngjarjes.
Policia po vijon hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të konfliktit dhe për të dokumentuar përgjegjësitë e personave të përfshirë.





