Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka ndërmarrë një seri kontrollesh në Tiranë dhe Vlorë në kuadër të hetimeve për tjetërsimin e pronave në zonën e Zvërnecit.
Sipas burimeve pranë hetimit, veprimet janë urdhëruar për sigurimin e provave që lidhen me një skemë të dyshuar për përvetësimin dhe falsifikimin e dokumentacionit të pronësisë në një nga zonat më të diskutueshme të bregdetit shqiptar.
Mes personave ndaj të cilëve po ushtrohen kontrolle është edhe Pëllumb Petriti, ish-avokat, i cili dyshohet se ka pasur rol në falsifikimin e dokumenteve të pronësisë në favor të Artur Shehut. Kontrolle po zhvillohen gjithashtu edhe në ambientet e lidhura me Redi Strugën.
Hetimet e SPAK-ut fokusohen te një skemë e gjerë e tjetërsimit të pronave në Zvërnec, ku dyshohet se përmes dokumenteve të falsifikuara janë përfituar sipërfaqe të konsiderueshme toke.
Çështja ka marrë vëmendje të lartë publike muajt e fundit, veçanërisht pas debatit të krijuar rreth projektit për ndërtimin e një resorti luksoz në zonë. Projekti është lidhur me investitorin amerikan Jared Kushner, dhëndër i Donald Trump.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se kontrollet janë pjesë e një faze intensive verifikimesh, ndërsa SPAK po punon për të dokumentuar përgjegjësitë e mundshme penale të personave të përfshirë në këtë çështje.






