Ish-“Mister Shqipëria” për vitin 2012, Geraldo Biba, pritet të dalë këtë të martë para Gjykatës së Vlorës për t’u njohur me masën e sigurisë, pasi u arrestua nga policia për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Heqje e paligjshme e lirisë”.
Sipas hetimeve paraprake, Biba konsiderohet protagonisti kryesor i incidentit të ndodhur gjatë protestës në Zvërnec, ku qytetari me inicialet E.S. u dhunua dhe u tërhoq me forcë brenda perimetrit të rrethuar të kantierit.
Bashkë me të, para gjykatës do të paraqiten edhe dy punonjës të tjerë të kompanisë private të sigurisë “Major Security”, Artur Grami dhe Gazmend Vathi, të arrestuar në kuadër të të njëjtit hetim.
Pronari “në hije” i “Major Security”?
Sipas informacioneve të publikuara nga gazetari Elton Qyno, Geraldo Biba nuk rezulton të jetë thjesht një punonjës i kompanisë “Major Security”, por konsiderohet si pronari de facto i saj.
Në dokumentacionin zyrtar, kompania figuron në emër të 58-vjeçares Shpresa Myzyri, vjehrra e Bibës, ndërsa drejtues teknik rezulton Filip Llaka. Megjithatë, burime të ndryshme në Durrës pretendojnë se administrimi real i aktivitetit është kryer prej vitesh nga vetë Biba.
Nga dokumentet rezulton se ai ka mbajtur postin e administratorit të kompanisë nga nëntori 2016 deri në nëntor 2021. Edhe pas largimit formal nga kjo detyrë, Biba dyshohet se ka vijuar të merret me sigurimin e klientëve dhe negociimin e kontratave të shërbimit.
Nga showbizi te kontrata për Zvërnecin
Kompania “Major Security” njihet për shoqërimin e personazheve të njohur publikë dhe artistëve të skenës shqiptare, ndërsa së fundmi kishte marrë një kontratë të rëndësishme për garantimin e sigurisë së projektit të shoqërisë “Zvërnec South Adriatic Development”.
Pas publikimit të pamjeve që shkaktuan reagime të forta publike, kompania investitore njoftoi ndërprerjen e menjëhershme të kontratës me “Major Security”.
Reagimi i kompanisë
Në një deklaratë publike, “Zvërnec South Adriatic Development” dënoi veprimet e personave të sigurisë private dhe kërkoi hetim të plotë të ngjarjes.
“Ndërhyrja ndaj një qytetari që ishte në të drejtën e tij të plotë për të protestuar jashtë kufirit të pronës dhe tërheqja e tij brenda saj për të ushtruar forcë nuk është vetëm e papranueshme moralisht, por edhe e dënueshme penalisht”, thuhet në reagimin e kompanisë.
Shoqëria theksoi se personeli i sigurisë nuk kishte marrë asnjë udhëzim për të vepruar në kundërshtim me ligjin apo për të cenuar të drejtat e qytetarëve, ndërsa shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me autoritetet në funksion të zbardhjes së plotë të ngjarjes.






