Partia Demokratike ka përmbyllur procesin e votimit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Kombëtar, organit më të lartë vendimmarrës të partisë mes dy kuvendeve kombëtare.
Sipas rezultateve të publikuara, Dhurata Çupi ka rezultuar ndër kandidatët më të votuar, duke kryesuar njëkohësisht edhe listën e grave.
Mes emrave që kanë marrë mbështetje të gjerë nga delegatët është edhe Ilir Alimehmeti, i cili përmendet shpesh si një kandidat i mundshëm i demokratëve për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e ardhshme vendore.
Në listën e më të votuarve renditen gjithashtu Alfred Lela, drejtor i Zyrës së Shtypit të PD-së, si dhe Floriana Garo.
Surprizë në këtë proces ka qenë edhe mbështetja për figura të njohura jashtë politikës tradicionale. Reperi Arkimed Lushaj, i njohur me emrin artistik “Stresi”, si dhe gazetari Arnold Kariqi kanë siguruar gjithashtu një vend mes kandidatëve më të mbështetur nga delegatët.
Më të votuarit për Këshillin Kombëtar të PD-së:
* Dhurata Çupi
* Ilir Alimehmeti
* Alfred Lela
* Floriana Garo
* Arkimed Lushaj
* Arnold Kariqi
Rezultatet pritet të ndikojnë në përbërjen dhe drejtimin e forumit kryesor politik të Partisë Demokratike në periudhën e ardhshme.






