Një person ka humbur jetën dhe të paktën 14 të tjerë janë plagosur në një sulm me armë zjarri në Çikago, në zonën South Side.
Ngjarja ndodhi në lagjen Washington Park, në bllokun 5400 të South Cottage Grove Avenue, pak pas orës 23:30. Sipas Policisë së Çikagos, efektivët po përpiqeshin të shpërndanin një turmë të madhe njerëzish kur papritur u dëgjuan të shtënat.
Autoritetet konfirmuan se gjithsej 15 persona u qëlluan me armë. Një 35-vjeçar, i cili u godit disa herë nga plumbat, ndërroi jetë në vendngjarje. Vdekja e tij u konfirmua nga Zyra e Ekzaminuesit Mjekësor të Cook County.
Mes të plagosurve është edhe një 47-vjeçare, e cila ndodhet në gjendje të rëndë. Gjashtë persona të tjerë u transportuan me urgjencë në spitalet e zonës dhe raportohet se janë në gjendje të mirë.
Ndërkohë, autoritetet po verifikojnë gjendjen e tre të plagosurve të tjerë, një grua 37-vjeçare, një grua 23-vjeçare dhe një burrë 35-vjeçar, të cilët gjithashtu janë dërguar në spitale.
Sipas dëshmive të mbledhura nga mediat amerikane, të shtënat mund të kenë ndodhur gjatë një ribashkimi të ish-banorëve të Robert Taylor Homes, një kompleks i madh banesash publike në South Side, i shembur në fillim të viteve 2000.
“Jam e lodhur. Dhe nuk po flas për një lodhje që mund ta kaloj duke bërë një gjumë të mirë”, deklaroi këshilltarja e qytetit Jeanette Taylor, duke reaguar ndaj situatës së krijuar nga dhuna me armë.
Policia bëri të ditur se asnjë efektiv nuk u plagos gjatë incidentit. Deri tani nuk ka persona të arrestuar.
Hetimin e kanë marrë përsipër detektivët e Area One, të cilët po punojnë për të përcaktuar rrethanat e plota të sulmit dhe për të identifikuar autorët.
Edhe kryebashkiaku i Çikagos, Brandon Johnson, dënoi ngjarjen dhe pasojat e dhunës me armë në komunitet.
“Përmes të shtënave të mbrëmshme na kujtohet ndikimi shkatërrues i dhunës me armë. Brenda pak çastesh, një jetë mund të humbasë, familjet mund të ndryshojnë përgjithmonë dhe komunitetet mund të mbeten në zi”, tha Johnson në një deklaratë.
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh në komunitet, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të sulmit.





