Të paktën tetë persona kanë humbur jetën dhe 18 të tjerë rezultojnë të zhdukur pas përmbysjes dhe fundosjes së një trageti pasagjerësh në brigjet e veriut të Qipros.
Ngjarja e rëndë ndodhi të dielën, pak pasi trageti ishte nisur nga qyteti bregdetar i Kyrenias, në veri të ishullit, me destinacion Turqinë. Në bord ndodheshin 259 pasagjerë dhe tetë anëtarë ekuipazhi.
Kryeministri i administratës turke në veri të Qipros, Unal Ustel, konfirmoi bilancin tragjik, duke bërë të ditur se pjesa dërrmuese e personave në bord janë shpëtuar. Operacioni i kërkim-shpëtimit vijon në det, në bashkëpunim me autoritetet turke.
Trageti u përmbys pas goditjes nga dallgët
Sipas dëshmive paraprake, anija u përball me kushte të vështira detare. Ustel deklaroi për mediat turke se trageti u godit nga dy dallgë të fuqishme.
Kapiteni po përpiqej të rimerrte kontrollin e anijes pas dallgës së parë, kur një dallgë e dytë e goditi dhe mjeti nisi të marrë ujë. Brenda pak kohësh situata doli jashtë kontrollit dhe trageti u përmbys.
Anija ishte nisur nga Kyrenia rreth orës 12:30 me orën lokale dhe më pas u fundos plotësisht. Autoritetet po përpiqen të gjejnë dhe të nxjerrin kutinë e zezë, e cila pritet të ndihmojë në përcaktimin e shkaqeve të sakta të katastrofës.
Helikopterë dhe mjete të rojës bregdetare turke u angazhuan në operacionin e kërkim-shpëtimit, ndërsa ambulancat u vendosën në breg për të pritur personat e shpëtuar.
Kapiteni dhe ekuipazhi janë ndaluar
Kapiteni i tragetit dhe shtatë anëtarët e ekuipazhit janë ndaluar nga autoritetet në kuadër të hetimit për rrethanat që çuan në katastrofë.
Ustel deklaroi se do të hetohet çdo element i ngjarjes dhe se “asnjë neglizhencë, sado e vogël, nuk do të mbetet pa u zbuluar”.
“Askush nuk do të kursehet, pavarësisht se kush është dhe kush rezulton përgjegjës”, tha ai, duke theksuar se prioriteti i autoriteteve mbetet shpëtimi i jetëve.
Ministri i Transportit i administratës turke në veri të Qipros, Erhan Arıklı, tha për mediat lokale se rreth 100 pasagjerë ishin nxjerrë në breg në fazat e para të operacionit.
Dëshmitari: “Deti ishte shumë i trazuar”
Një prej personave që mori pjesë në operacionin e shpëtimit, Mustafa Koç, tha për BBC se me varkën e tij kishte arritur të shpëtonte rreth 65 persona.
Ai ngriti pikëpyetje mbi vendimin për nisjen e tragetit në ato kushte detare, duke argumentuar se ekuipazhi duhet të kishte pritur për përmirësimin e motit.
“Deti ishte mjaft i trazuar. Nuk ishte e sigurt për ta”, deklaroi Koç.
Sipas tij, anija kishte mbërritur në Kyrenia një ditë më parë dhe kishte dëmtime në pjesën e përparme. Trageti ishte rreth 40 metra i gjatë dhe 10 metra i gjerë, i tipit Filo Jet, dhe lundronte nën flamurin turk.
Kompania private Filo Denizcilik, e cila operon anijen, deklaroi se është “thellësisht e pikëlluar” nga aksidenti tragjik.
Ndërkohë, autoritetet kanë ngritur një linjë telefonike për familjarët e pasagjerëve. Ende nuk janë bërë të ditura plotësisht kombësitë e personave që ndodheshin në bord apo gjendja e të plagosurve.
Pamjet e transmetuara nga televizionet lokale treguan tragetin të përmbysur në ujë, ndërsa disa persona me jelekë shpëtimi qëndronin mbi trupin e anijes. Më vonë, ministri Arıklı konfirmoi se trageti ishte fundosur plotësisht dhe se kërkimet për 18 personat e zhdukur vijojnë.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, shprehu ngushëllimet për viktimat dhe familjet e tyre, ndërsa deklaroi se operacionet për gjetjen e personave të zhdukur po vijojnë pa ndërprerje.
Veriu i Qipros kontrollohet nga administrata turke, e cila njihet ndërkombëtarisht vetëm nga Turqia. Ishulli i Qipros është i ndarë që prej vitit 1974.





