Në seancën plenare në Kuvendi i Shqipërisë janë regjistruar momente tensioni gjatë debatit parlamentar, ku kryetari i Kuvendit Niko Peleshi ka ndërhyrë për të ruajtur kohën e përcaktuar të diskutimeve.
Pas përfundimit të fjalës së ish-kryeministrit Sali Berisha, kryetari i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja ka kërkuar fjalën për procedurë, por Peleshi ka refuzuar duke sqaruar se minutazhi i parashikuar për diskutimet ishte ezauruar.
“Nuk ka fjalë për procedurë, jemi me minutazh të caktuar”, u shpreh Peleshi, duke theksuar se seanca duhej të përfundonte brenda orarit të përcaktuar.
Gjatë debatit, Manja iu drejtua kryetarit të Kuvendit në mënyrë të drejtpërdrejtë, ndërsa Peleshi reagoi prerë duke kërkuar respektimin e rregullores.
“Nuk jam Niko! Ju lutem! Do të flasësh kur të vijë radha!”, deklaroi ai.
Pas këtij momenti, në sallë u regjistrua edhe reagimi i opozitës me duartrokitje, duke shënuar një tjetër episod tensioni në seancat plenare.






