Një 32-vjeçar shqiptar është dënuar me dy vite burg në Basildon, pasi u kap me sasi droge të ndarë në doza të gatshme për shitje.
Shuaip Gjoshi u ndalua nga policia në Rayleigh, ku gjatë kontrollit në automjetin e tij u gjetën 99 doza kanabisi dhe 4 doza kokaine. Sipas autoriteteve britanike, vlera e lëndëve narkotike në treg arrinte mbi 3,200 paund.
Hetimet e Policisë së Essex-it zbuluan se automjeti kishte lëvizur në zona të ndryshme për rreth 12 orë para ndalimit, duke ngritur dyshime për aktivitet të vazhdueshëm shpërndarjeje droge. Në makinë u sekuestruan gjithashtu 962 paund cash.
Në gjykatë u tha se 32-vjeçari kishte hyrë në Britani me vizë pune si elektricist, por më pas ishte përfshirë në aktivitet kriminal për shkak të vështirësive ekonomike dhe borxheve.
Mbrojtja argumentoi se bëhej fjalë për një rast të izoluar, ndërsa i pandehuri kishte pranuar fajin. Gjykata theksoi se, për shkak të mungesës së statusit të ligjshëm dhe rrezikut për përsëritje, dënimi me burg ishte i pashmangshëm.






