Një zhvillim i ri është shënuar në hetimin për vdekjen e themeluesit të “Mango”, Isak Andikut. Mbrojtja e djalit të tij, Jonathan Andik, i ka kërkuar gjyqtares hetuese të thërrasë për dëshmi gjashtë persona që lidhen me administrimin e pasurisë së familjes, hartimin e testamenteve dhe planin për krijimin e një fondacioni bamirës.
Mes personave që mbrojtja kërkon të dëshmojnë është avokati Mikel Roka, një noter, si dhe persona të tjerë të përfshirë në planifikimin e trashëgimisë së familjes Andik.
Sipas mediave spanjolle, mbrojtja e Jonathan Andikut synon që, përmes dëshmive të reja, të kundërshtojë mundësinë e një motivi financiar, të cilit i ishte referuar gjyqtarja që po heton rrethanat e vdekjes së Isak Andikut në vitin 2024.
Themeluesi i “Mango” kishte planifikuar krijimin e një fondacioni bamirës dhe kishte ngarkuar Mikel Rokën dhe djalin e tij me hartimin ligjor të strukturës dhe funksionimit të tij.
Mbrojtja e Jonathanit kërkon të sqarohet cili do të ishte roli i anëtarëve të bordit të fondacionit, çfarë pozicioni do të kishin fëmijët e Isak Andikut dhe, mbi të gjitha, nëse krijimi i kësaj strukture do të ndikonte apo jo në trashëgiminë familjare.
Gjithashtu, kërkohet të sqarohet nëse ky plan kishte miratimin dhe mbështetjen e Jonathanit dhe dy motrave të tij.
Në vendimin ku gjyqtarja kishte urdhëruar paraburgimin e përkohshëm të Jonathan Andikut, ishte përmendur një motiv i mundshëm financiar që lidhej me planin për krijimin e fondacionit bamirës.
Sipas vendimit gjyqësor, djali i madh i biznesmenit dyshohet se kishte mësuar në mesin e vitit 2024 se babai i tij synonte të ndryshonte testamentin, duke krijuar një strukturë që do të kishte si qëllim mbështetjen e personave në nevojë.
Gjyqtarja kishte përmendur gjithashtu mosmarrëveshje të mundshme mes babait dhe djalit, si dhe pretendime për një “fiksim pas parave” nga ana e Jonathanit. Këto pretendime janë kundërshtuar nga vajzat e Isak Andikut gjatë dëshmive të tyre si dëshmitare.
Dëshmitë për testamentet dhe pasurinë
Përveç Mikel dhe Joan Rokës, mbrojtja kërkon të dëshmojë edhe noteri Ariel Sultan, i cili pritet të japë të dhëna mbi testamentet e njëpasnjëshme që Isak Andiku hartonte çdo vit.
Synimi është të sqarohet mënyra se si biznesmeni vendoste për ndryshimet në testament, cilët profesionistë merrnin pjesë në këtë proces dhe cilat të dhëna mbi pasurinë merreshin në konsideratë.
Në listën e dëshmitarëve përfshihet gjithashtu Rakel Delgado, drejtoreshë financiare e kompanisë “Punto Na”, e cila ishte ngarkuar me hartimin dhe përditësimin e testamenteve të familjes.
Një tjetër person që kërkohet të dëshmojë është German Kastehon, këshilltar që kishte kontribuar në planifikimin e menaxhimit të ardhshëm të pasurisë dhe bizneseve familjare.
Mbrojtja kërkon gjithashtu dëshminë e drejtorit ekzekutiv të “Mango”, Toni Ruiz. Thirrja e tij është pranuar tashmë nga gjyqtarja pas kërkesës së prokurorisë, por ende nuk është caktuar një datë për dëshminë.
Çfarë thanë dy motrat e Jonathanit
Në dëshmitë e tyre në korrik, vajzat e themeluesit të “Mango”, Sara dhe Judith Andik, kishin deklaruar se nuk kishte pasur konflikte financiare brenda familjes.
Sipas tyre, babai i tyre e rinovonte testamentin çdo vit, në mënyrë që të përfshinte dhuratat ose ndihmat financiare që secili prej fëmijëve kishte marrë gjatë vitit dhe të ruante një ekuilibër në shpërndarjen e pasurisë.
Sipas burimeve ligjore, fëmijët e biznesmenit ishin në dijeni të këtyre ndryshimeve.
Nga ana e mbrojtjes së Jonathan Andikut, ndërkohë, pretendohet se raporti i policisë për vdekjen e themeluesit të “Mango” ka krijuar “një narrativë me elemente të forta fantazie”, e cila, sipas tyre, bazohet më shumë në interpretime dhe supozime sesa në të dhëna konkrete.





