Autoritetet meksikane kanë arrestuar Ramón Ángel Álvarez Ayala, i njohur me nofkën “El R1”, një nga drejtuesit e Kartelit Jalisco New Generation (CJNG), i dyshuar se ka urdhëruar vrasjen e influencers Valeria Márquez, e cila u ekzekutua gjatë një transmetimi live në TikTok.
Sipas autoriteteve, arrestimi i “El R1” përbën një goditje të rëndësishme ndaj një prej organizatave kriminale më të fuqishme dhe më të dhunshme në Meksikë.
Nga hetimet rezulton se Valeria Márquez u vra në sallonin e saj të bukurisë, teksa po komunikonte drejtpërdrejt me ndjekësit në TikTok. Sipas Prokurorisë, autori i dyshuar, i maskuar si korrier, hyri në ambientet e biznesit, konfirmoi identitetin e saj dhe më pas hapi zjarr, duke e lënë të vdekur në vend. Pamjet e atentatit u transmetuan live dhe u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale.
Hetuesit dyshojnë se krimi lidhet me një konflikt personal. Sipas autoriteteve, Márquez kishte pasur më parë një lidhje me djalin e “El R1”, i cili dyshohet se fillimisht e kishte kërcënuar dhe më pas i kishte kërkuar të atit organizimin e vrasjes së saj.
Ndërkohë, djali i “El R1” dhe personi i dyshuar si autor i ekzekutimit vijojnë të jenë në arrati, ndërsa autoritetet po vazhdojnë operacionet për kapjen e tyre.
Karteli Jalisco New Generation konsiderohet një nga organizatat kriminale më të fuqishme në Meksikë. Ai akuzohet për trafik ndërkombëtar droge, përfshirë fentanilin, metamfetaminën dhe kokainën, si edhe për zhvatje dhe aktivitete të tjera kriminale në disa rajone të vendit.





