Një 32-vjeçar është vënë në pranga në Tiranë, pasi dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në ajër nga automjeti i tij në zonën e Alidemit.
Sipas Policisë së Tiranës, ngjarja është raportuar mbrëmjen e djeshme, kur qytetarët kanë njoftuar se një person po qëllonte në lëvizje me armë. Shërbimet e Komisariatit Nr. 1 kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë ndërhyrë duke bërë të mundur ndalimin e mjetit dhe arrestimin e drejtuesit të tij, të identifikuar me inicialet A. Xh.
Gjatë kontrollit në automjet, policia ka sekuestruar një pistoletë me fishek në fole, si dhe municion luftarak. Edhe mjeti me të cilin lëvizte është sekuestruar si provë materiale.
Hetimet paraprake tregojnë se i arrestuari dyshohet se ka qëlluar në ajër gjatë lëvizjes me makinë, ndërsa motivet e ngjarjes mbeten ende të paqarta.
Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.






