Për nëntë vite me radhë i shpëtoi drejtësisë, operacioneve të Policisë dhe katër aksioneve të forcave speciale RENEA. Por mëngjesin e 4 qershorit 2026, historia e arratisë së gjatë të Violand Braçellarit përfundoi në mënyrën më tragjike, me vrasjen e një efektivi policie dhe plagosjen e një tjetri gjatë një përballjeje të armatosur në malin Boden të Maliqit.
Operacioni i organizuar nga strukturat e Policisë së Korçës kishte si qëllim arrestimin e 43-vjeçarit, i dënuar në mungesë me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burg për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Por ndërhyrja u kthye në një shkëmbim të ashpër zjarri, ku humbi jetën efektivi i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Enea Mekolli, 34 vjeç, ndërsa mbeti i plagosur rëndë kolegu i tij, Edison Adri, 36 vjeç.
Sipas Policisë, gjithçka nisi pas një informacioni të marrë më 3 qershor nga një banor i zonës, i cili kishte konstatuar praninë e Braçellarit në fshatin Lozhan. Menjëherë u ngrit një plan operacional, ku u përfshinë forcat e Komisariateve të Maliqit dhe Korçës, efektivët “Shqiponja” dhe drejtues të Policisë vendore.
Pas disa orësh vëzhgimi, forcat policore lokalizuan të kërkuarin në stanin ku ai jetonte bashkë me të ëmën, në malin Boden. Rreth orës 07:30 të mëngjesit, pas rrethimit të objektit, efektivët i bënë thirrje të dorëzohej.
Sipas versionit zyrtar, Braçellari refuzoi urdhrin dhe hapi zjarr me kallashnikov ndaj forcave të Policisë. Nga të shtënat mbeti i vrarë efektivi Mekolli, ndërsa u plagos rëndë Adri. Në kundërpërgjigje, forcat policore qëlluan ndaj 43-vjeçarit, i cili mbeti i plagosur dhe më pas u arrestua.
Për shkak të terrenit të vështirë malor, në vendngjarje u angazhua edhe një helikopter i shëndetësisë për transportimin e të plagosurve drejt spitalit. Efektivi Edison Adri u dërgua më pas në Spitali i Traumës në gjendje kritike, ndërsa Braçellari mori trajtim mjekësor për plagët e marra gjatë shkëmbimit të zjarrit.
Kush është Violand Braçellari?
43-vjeçari rezulton me precedentë penalë që prej vitit 2011. Ai ishte dënuar më herët për kultivim të bimëve narkotike dhe më pas u shpall fajtor për prodhim dhe shitje narkotikësh, pasi hetimet zbuluan prova që, sipas organit të akuzës, e lidhnin me kultivimin, përpunimin dhe transportimin e kanabisit.
Gjykata e Korçës e dënoi në vitin 2017 me gati 10 vite burg, vendim që u la në fuqi nga Apeli dhe më pas nga Gjykata e Lartë në vitin 2024. Megjithatë, Braçellari nuk u vu kurrë në pranga, pasi që prej vitit 2017 ishte larguar dhe kishte jetuar në arrati.
Sipas Policisë, gjatë këtyre viteve janë organizuar disa operacione për kapjen e tij, përfshirë katër aksione të forcave speciale RENEA, por pa rezultat.
Nis analiza për operacionin
Pas ngjarjes së rëndë, autoritetet kanë nisur verifikime të shumta për mënyrën e organizimit të operacionit dhe për vlerësimin e nivelit të rrezikut që paraqiste objektivi.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka hapur një hetim disiplinor për të sqaruar procedurat e ndjekura gjatë aksionit, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria e Korçës kanë nisur hetime për të përcaktuar nëse ka përgjegjësi ligjore lidhur me ngjarjen.
Ndërkohë, vrasja e efektivit Enea Mekolli ka tronditur opinionin publik dhe ka rikthyer debatin mbi organizimin e operacioneve ndaj personave me rrezikshmëri të lartë, si dhe mbi arsyet që lejuan një të dënuar të qëndronte në arrati për afro një dekadë.





