40-vjeçari Besnik Koldreu, i arrestuar si bashkëpunëtor në vrasjen e çiftit të bashkëshortëve Kreshnik dhe Gentjana Mujeci më 26 prill në fshatin Balldren të Lezhës, do të vijojë të qëndrojë në burg.
Koldreu u njoh në gjykatë me rivlerësimin e masës së sigurisë që ishte dhënë ndaj tij në mungesë, në një seancë të zhvilluar me dyer të mbyllura. Gjatë seancës, ai ka mohuar përfshirjen në ngjarje.
Sipas pretendimeve të tij, ai jeton dhe punon në Mal të Zi, ndërsa ka deklaruar se automjeti i përdorur nga autorët e krimit është lënë pranë banesës së prindërve të tij të moshuar në zonën e Torovicës, pa dijeninë e tij.
Megjithatë, Gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, e kryer në bashkëpunim.
Koldreu është arrestuar më 17 qershor në Ulqin nga autoritetet malazeze, pasi ishte shpallur në kërkim si i dyshuar për lidhje me ngjarjen e rëndë.
Ndërkohë, për vrasjen e çiftit Mujeci vijojnë të jenë në arrati tre persona të tjerë: Renato Mhillaj, Florin Mhillaj dhe Adriano Mhillaj, të cilët dyshohen si autorë të drejtpërdrejtë të krimit.
Sipas hetimeve paraprake, Kreshnik dhe Gentjana Mujeci janë qëlluar me breshëri plumbash teksa udhëtonin me automjetin e tyre në aksin Balldre–Torovicë. Hetuesit dyshojnë se motivi i ngjarjes lidhet me hakmarrje.





