Teksa në Shqipëri u shënuan 24 ditë nga nisja e protestave qytetare, të cilat fillimisht shpërthyen kundër projektit të resortit luksoz në Zvërnec dhe më pas u shndërruan në një lëvizje me kërkesa politike, përfshirë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e ish-kryeministrit Sali Berisha nga skena politike, kreu i qeverisë ka zgjedhur të reagojë përmes një interviste për prestigjiozen britanike “Financial Times”.
Në intervistë, Rama iu përgjigj akuzave që kanë dominuar debatin publik gjatë javëve të fundit, duke mohuar kategorikisht pretendimet se qëndron në qendër të një sistemi të korruptuar pushteti.
“Njerëzit thonë se unë jam udhëheqësi i gjithë kësaj. Unë u them atyre të shkojnë në djall. Kaq e thjeshtë”, deklaroi Rama.
Kryeministri shtoi më tej:
“Nuk është puna ime të vërtetoj se nuk jam Kumbari, është puna e tyre të vërtetojnë se unë jam Kumbari.”
Sipas artikullit të “Financial Times”, i ashtuquajturi “Revolucioni i Flamingove” u nxit nga kundërshtimi ndaj projektit prej 4 miliardë dollarësh të Jared Kushner dhe Ivanka Trump në zonën e Zvërnecit dhe pranë rezervatit natyror të njohur për flamingot.
Protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e Ramës dhe hetimin e tij për atë që ata e konsiderojnë korrupsion sistemik që favorizon investitorët ndërkombëtarë në zona të mbrojtura.
Në intervistë, Rama mbrojti investimet e lidhura me Kushnerin, duke këmbëngulur se ato janë të rregullta dhe nuk kanë lidhje me hetimet e autoriteteve ndaj ish-pronarëve të tokave në zonë.
“Të thuash që ekonomia shqiptare është e bazuar në pastrimin e parave, kjo është e tmerrshme”, tha ai, duke shtuar se fenomeni ekziston, por sipas tij nuk është në përmasat që pretendojnë kritikët.
“Pastrimi i parave është pjesë e ekonomisë sonë, por nuk është një problem aq i madh. Mendoni se nuk ka pastrim parash në Londër? Po. Por a mund të thoni se ekonomia britanike është në një pjesë të madhe pastrim parash? Jo”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë argumentoi gjithashtu se qeveria e tij ka fuqizuar institucionet e drejtësisë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
“Në fakt është e kundërta. Shqipëria po lufton si kurrë më parë dhe është shumë më pak e korruptuar sot sesa ishte”, deklaroi ai.
Rama përsëriti edhe akuzat se pas protestave qëndrojnë interesa të lidhura me kundërshtarët e presidentit amerikan Donald Trump.
“Ka shumë interes për ta mbyllur këtë projekt… për shkak të Trumpit. Nëse nuk do të ishte Jared Kushner, askush nuk do të interesohej për flamingot, për Shqipërinë, për asgjë. Është gjithë urrejtja kundër Trumpit që krijon gjithë këtë shqyrtim”, tha ai.
Pavarësisht protestave dhe debatit publik, kryeministri u shpreh i bindur se projektet e zhvillimit do të vijojnë.
“Gjëja e rëndësishme është që investitorët nuk janë kriminelë dhe nuk janë të përfshirë në pastrim parash. Ata janë investitorë të mëdhenj. Është një shans historik për Shqipërinë”, përfundoi Rama.





