Senati i Shteteve të Bashkuara ka miratuar një rezolutë që synon të kufizojë aftësinë e Presidentit Donald Trump për të ndërmarrë veprime ushtarake të njëanshme kundër Iranit pa miratimin e Kongresit.
Rezoluta u miratua me 50 vota pro dhe 48 kundër, falë mbështetjes së katër senatorëve republikanë – Rand Paul, Lisa Murkowski, Susan Collins dhe Bill Cassidy – të cilët votuan së bashku me demokratët. Nga ana tjetër, senatori demokrat John Fetterman votoi kundër masës.
Dokumenti, i miratuar më herët edhe nga Dhoma e Përfaqësuesve, i kërkon presidentit që të ndalojë operacionet ushtarake ose të sigurojë autorizim formal nga Kongresi. Kjo është hera e parë që nga miratimi i Aktit të Pushteteve të Luftës në vitin 1973 që të dy dhomat e Kongresit miratojnë një masë të tillë të kësaj natyre.
Presidenti Donald Trump reagoi menjëherë pas votimit, duke e cilësuar rezolutën si të “parakohshme dhe të pakuptimtë”.
Në një postim në rrjetin e tij social “Truth Social”, ai shkroi se senatorët që mbështetën nismën po “i dërgojnë sinjale dobësie Iranit” dhe po ndihmojnë një shtet që e konsideron sponsor të terrorizmit.
“Katër republikanët që votuan kundër qëndrimit tim vetëm sa ma vështirësuan punën”, deklaroi Trump, duke shtuar se do të vijojë politikën e tij “në një mënyrë ose në një tjetër”.





