Policia Kombëtare e Ekuadorit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme të Shtetit dhe Europol-in, ka goditur një organizatë të dyshuar kriminale të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës, e cila dyshohet se kishte lidhje me grupe kriminale shqiptare dhe polake.
Operacioni i koduar “Gran Fénix 0043-Azkaban” u zhvillua në orët e para të mëngjesit të së enjtes, më 8 korrik, duke çuar në arrestimin e 18 personave.
Mes të ndaluarve janë edhe dy shtetas europianë, të identifikuar nga autoritetet si drejtues të dyshuar të rrjetit kriminal.
Sipas autoriteteve ekuadoriane, hetimet kanë zbuluar se organizata kishte trafikuar rreth 7.5 tonë kokainë, me një vlerë të përllogaritur prej rreth 225 milionë dollarësh në tregun e paligjshëm ndërkombëtar.
Nga hetimet paraprake rezulton se grupi kishte nisur aktivitetin e tij të paktën që prej vitit 2019 dhe dyshohet se bashkëpunonte me grupe të armatosura kolumbiane, si dhe me banda kriminale që operojnë në Ekuador.
Autoritetet bëjnë me dije se rrjeti kishte krijuar një strukturë të gjerë për trafikimin e lëndëve narkotike drejt tregjeve ndërkombëtare, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e plotë të personave dhe lidhjeve të tjera të mundshme kriminale.





