Gazetari Artan Hoxha ka deklaruar në një emision televiziv se çështja e ish-drejtores së SHISH, Vlora Hysenit, duhet parë përtej personave që janë bërë publikë deri tani.
Hoxha theksoi se informacionet që dalin nga një dosje hetimore nuk duhet të shkëputen nga konteksti, duke ngritur pikëpyetje mbi rolin e personave që, sipas tij, kanë qenë pranë ish-drejtores.
“Atëherë, shumë në fakt edhe nga kolegët tanë e kanë ngatërruar këto ditë. Është Vlora Hyseni. Vjosa që derdhet në Vlorë, kështu që aty nuk ke… Para se edhe unë vetë, më Vlora, se ngjashmëria me emrin e ish-presidentes na bën që…”
Ai tha se vetëm strukturat hetimore kanë një pasqyrë të plotë të përmbajtjes së dosjes.
“Na bën që, në fakt, raportimet e ditës së djeshme kanë qenë më shumë… Shiko, çfarë ka dosja saktësisht e dinë vetëm… As prokurorët nuk besoj e dinë, vetëm oficerët e policisë gjyqësore që merr BKH-ja.”
Sipas Hoxhës, për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, informacioni i bërë publik deri tani është i kufizuar.
“Po të jemi të qartë për këtë. Nuk besoj që ndonjë… Aq më tepër që çështja është shumë sensitive dhe prokurorët janë përpjekur që të mos rrjedhë informacion. Edhe ai që ka dalë, shumë, shumë pak, por gjithsesi ka dhënë një lloj ngjyrimi, pra është një pigment që është hedhur.”
Hoxha u ndal edhe te marrja e telefonit të ish-drejtores së SHISH dhe mënyra se si, sipas tij, duhet të kufizohet hetimi.
“Pra, informacioni në vetvete është krejt… imagjinojeni, është marrë telefoni i shefit të shërbimit informativ. Problemi që do ketë SPAK është deri ku duhet ta kufizojë atë dhe të mos merret me pjesën tjetër. Merret vetëm me çështjen që të penalizojë zonjën në fjalë, një rreth të ngushtë të personave të cilët i kanë shërbyer asaj, Ergys Agasit dhe koordinatorit.”
Duke iu referuar një prej personave të përmendur në dosje, Hoxha tha se pas tij mund të ketë një rrjet më të gjerë, pa dhënë detaje konkrete.
“Kur themi koordinator, Gysi nuk është thjesht një Gysi. Mbas Gysit është një gjë e madhe. Gysi është një e teta, që duket shtatë-tetë, ne nuk i shohim.”
Gazetari theksoi gjithashtu se informacionet nga vendimet gjyqësore dhe dosjet hetimore duhet të trajtohen me kujdes, veçanërisht kur komunikimet publikohen të shkëputura nga konteksti.
“Kështu që unë nuk duhet të hyja, përveç edhe vendimit që ka GJKK-ja kur ka marrë masën e sigurisë, të cilin… Sepse është një gjë që ka vajtur vetë në kurriz edhe më ka dalë dosja pa e marrë unë vetë. Vendimi i masës së sigurisë që të them unë është një minierë e dosjes në vetvete. Pra aty është e përcaktuar qartë që në media nuk duhet të dalë dhe unë mendoj që nuk duhet të dalë ai lloj informacioni, sepse janë komunikime të shkëputura nga konteksti.”
Në fund, Hoxha foli edhe për burimet e informacionit që përdor media gjatë raportimit të çështjeve hetimore.
“Informacionin e kam marrë nga krahu tjetër, e kam marrë nga rruga, kam marrë nga agjencia shtetërore, sepse na rezultoi që agjencia shtetërore gënjen më shumë se krimi.”
Deklaratat e Hoxhës janë vlerësime dhe interpretime të tij mbi mënyrën se si duhet lexuar dosja hetimore dhe informacionet që janë bërë publike deri tani.





