Një zjarr ka rënë pasditen e sotme në katin e parë të hotel “Garden”, në lagjen “18 Shtatori” në Gjirokastër.
Drejtoria e MZSH-së Gjirokastër është njoftuar rreth orës 15:03 nga një qytetare për rënien e zjarrit, ndërsa grupi i ndërhyrjes është nisur menjëherë drejt vendngjarjes.
Me mbërritjen në hotel, zjarrfikësit kanë konstatuar flakë në kuzhinën e lokalit. Ndërhyrja është kryer me fikëse pluhuri dhe ujë, duke bërë të mundur izolimin dhe shuarjen e plotë të zjarrit në kohë.
Nga verifikimet paraprake dyshohet se zjarri është shkaktuar nga pajisja e gazit, ku ishte vendosur një tenxhere për ngrohjen e ujit, e cila kishte mbetur e ndezur.
Si pasojë e zjarrit janë shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale. Ndërhyrja e shpejtë e shërbimit zjarrfikës ka parandaluar përhapjen e flakëve në ambientet e tjera të hotelit.





