-0.5 C
Tiranë
Sunday, November 24, 2024
spot_img

Ja si do të paguhet gjoba për mos vendosjen e maskës.

Penalizimi për qytetarët që nuk paguajnë gjobën e marrë për mosvendosje maske do të jetë i rëndë. Në rast mospagimi të gjobës që do të përfshihet në faturën e energjisë, përveç vendosjes të kamatëvonesës do të ketë edhe ndërprerje të energjisë elektrike për individët e penalizuar. Qeveria ka miratuar udhëzimin që përcakton mënyrën e ekzekutimit të gjobës.

Në udhëzimin e publikuar në fletoren zyrtare institucionet përgjegjëse për vendosjen e gjobës janë policia e shtetit dhe ajo bashkiake, por për të ekzekutuar gjobën është përcaktuar operatori I shpërndarjes së energjisë elektrike. Kështu policia e shtetit dhe ajo bashkiake duhet që brenda 2 javësh ti dërgojnë OSHEE-së procesverbalin me te dhënat e personit që është gjobitur. Me pas OSHEE-ja në rastet kur individët kanë kontratë furnizmi energjie do të regjistrojë gjobën në faturën e energjisë elektrike të muajit përkatës.

Në udhëzim mbetet e paqartë se si do të procedojë policia me ato individë të cilët nuk kanë kontratë furnizimi me energji elektrike, pasi ne udhëtim thuhet se, operatori i shpërndarjes kur konstaton se individi nuk ka kontratë furnizimi të energjisë elektrike i kthen procesverbalin e gjobës Policisë së Shtetit ose asaj Bashkiake.

Gjoba e përfshirë në faturën e energjisë elektrike, do të jetë titull ekzekutiv dhe nuk do të mund të paguhet pjesërisht apo e shkëputur nga fatura e energjisë elektrike. Pagesa e gjobës mund të kryhet në çdo postë apo institucion tjetër financiar ku paguhet fatura e energjisë. Operatori i shpërndarjes derdh të gjithë vlerën e gjobës në buxhetin e shtetit në llogarinë e thesarit.

UDHËZIMI
UDHËZIM I PËRBASHKËT Nr. 4620, datë 14.10.2020PËR MËNYRËN E EKZEKUTIMIT TË KUNDËRVAJTJES ADMINISTRATIVE PËR MOSPËRDORIMIN E BARRIERËS MBROJTËSE (MASKËS), NËPËRMJET OPERATORIT TË SISTEMIT TË SHPËRNDARJES SË ENERGJISË ELEKTRIKE (OSHEE)
Në mbështetje të nenit 100, të Kushtetutës dhe të pikës 23, të aktit normativ nr. 3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”, të ndryshuar,UDHËZOJMË:1. Institucionet përgjegjëse për vendosjen e gjobës për mospërdorimin e barrierës mbrojtëse (maskës) janë Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake, në përputhje me aktin normativ nr. 3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masavetë veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”, të ndryshuar.

2. Policia e Shtetit apo Policia Bashkiake dërgon brenda 14 ditëve procesverbalin e vendosjes së gjobës në Furnizuesin e Shërbimit Universal (FSHU) sh.a./ Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike GROUP (OSHEE) sh.a. Ky procesverbal, në çdo rast, duhet të përmbajë minimalisht informacionin në lidhje me emrin, mbiemrin, atësinë, numrin e kartës së identifikimit, si dhe adresën e banimit të individit.

3. FSHU-ja, për rastet kur individët kanë kontratë furnizimi energjie, do të regjistrojë gjobën në faturën e energjisë elektrike të muajit respektiv. Kur FSHU-ja konstaton se individi nuk ka kontratë furnizimi të energjisë elektrike ose të dhënat e pasqyruara në gjobë nuk janë të plota apo nuk korrespondojnë me të dhënat në sistemin e faturimit të FSHU/OSHEE, i kthen procesverbalin e gjobës, sipas rastit, Policisë së Shtetit ose Policisë Bashkiake.

4. Gjoba, e përfshirë në faturën e energjisë elektrike, do të jetë titull ekzekutiv dhe nuk do të mund të paguhet pjesërisht apo e shkëputur nga fatura e energjisë elektrike. Pagesa jashtë afateve do të shoqërohet me kamatëvonesat përkatëse në përputhje me kontratën e energjisë elektrike të miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë.

5. Mospagesa e gjobës, si pjesë përbërëse e faturës, do ta klasifikojë individin si debitor ndaj FSHU-së dhe kontrata përkatëse e energjisë elektrike do të dërgohet për ndërprerje të furnizimit me energji elektrike, sipas afateve dhe procedurave të përcaktuara nga Enti Rregullator i Energjisë.

6. Pagesat mund të bëhen pranë te gjitha zyrave përkatëse të përcaktuara nga FSHU-ja, pranë Postës Shqiptare dhe pranë çdo institucioni financiar ku paguhet fatura e energjisë elektrike.

7. FSHU-ja derdh gjithë vlerën e gjobës në buxhetin e shtetit në llogarinë e thesarit, duke përjashtuar komisionet e shpenzimeve administrative në masën 2%. Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake rakordojnë me OSHEE-në arkëtimet periodike në llogarinë bankare në emër të OSHEE-së nga pagesat e faturave të energjisë elektrike për individët që kanë kontratë me OSHEE-në dhe i nënshkruajnë dokumentin “Faturë për arkëtim”, në të cilin është specifikuar si më poshtë:
a) kodi i rrethit Tiranë 3535;
b) kodi i institucionit për Policinë e Shtetit 1016079 në sistemin informatik financiar të qeverisë (SIFQ) ose për Policinë Bashkiake me kod institucioni 2101001 në SIFQ;
c) kodin e llogarisë ekonomike të arkëtimit 7115422 -“Gjoba për mospërdorimin e maskës nga COVID-19” në SIFQ.8. OSHEE-ja, në bazë të rakordimit periodik paraqet në bankën përkatëse dokumentin “Faturë për arkëtim” për të kryer transferimin e shumave të vjela nga gjobat në llogarinë bankare të të ardhurave jo tatimore në emër të degës së Thesarit Tiranë sipas listës bashkëlidhur të IBAN-eve.9. Struktura përgjegjëse për Thesarin në degë dërgon postën ditore bankare dhe rakordon periodikisht arkëtimet nga gjobat me strukturat përgjegjëse të Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake. Ky udhëzim hyn në fuqi me menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT