Ish-drejtori i Institutit Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive në Shtetet e Bashkuara, Anthony Fauci, ka refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve gjatë një seance dëgjimore në Senatin amerikan, ku po hetohet origjina e pandemisë së Covid-19.
Sipas raportimeve të mediave të huaja, Fauci ushtroi të drejtën e garantuar nga Amendamenti i Pestë i Kushtetutës së SHBA-së, i cili i lejon një personi të mos japë dëshmi që mund të përdoren kundër tij në një procedim penal.
Seanca u zhvillua përballë ligjvënësve republikanë, të cilët po hetojnë mënyrën se si u menaxhua pandemia dhe origjinën e virusit. Ata kanë ngritur dyshime mbi deklaratat e mëparshme të Faucit dhe kanë paralajmëruar se dëshmia e tij mund të përdoret për të shqyrtuar mundësinë e ngritjes së akuzave për dëshmi të rreme.
Fauci, një nga figurat më të njohura të administratës amerikane gjatë pandemisë, nuk iu përgjigj asnjë prej pyetjeve të senatorëve, duke u mbështetur në mbrojtjen që i ofron Amendamenti i Pestë.
Refuzimi i tij pritet të ushqejë më tej debatin politik në Shtetet e Bashkuara, ndërsa hetimet mbi origjinën e Covid-19 dhe menaxhimin e pandemisë vijojnë të mbeten në qendër të vëmendjes.





